Kometa e quajtur 46P/Wirtanen po afrohet me shpejtësi, dhe të dielën më 16 dhjetor arrin distancën më të shkurtër nga Toka në 11,5 milionë kilometra, shkruan gazeta italiane “Corriere della Sera”.
Për fat të keq bërthama kometare është e vogël, vetëm një kilometër në diametër dhe nuk është në gjendje të prodhojë bishtin klasik.
Por, kalimi i saj do t’ju lejojë të shihni atë të shkëlqejë me sy të lirë. Dhe kjo, vetëm për vëzhguesit e trajnuar.
Wirtanen nuk ka bisht, por prodhon një halo të shpërndarë të ngjyrës blu-jeshile që tashmë ka një diametër të dukshëm përafërsisht të njëjtë me atë të Hënës.
Ndërkohë, entuziastët e fotografisë së hapësirës janë alarmuar pasi duan të jenë në gjendje të kapin imazhet më të mira, që mund të publikohen në faqet e specializuara të astronomisë.