Dhjetë persona kanë mbetur të plagosur mëngjesin e së mërkurës në Tregun e kafshëve në Prizren, pas hedhjes se një granate dore. Zënka dyshohet se nisi mes tregtarëve për hapësirën në treg. Njëri nga të dyshuarit është arrestuar e dy të tjerë janë në kërkim. Gjendja e të plagosurve është stabile, pos njërit që i është nënshtruar operimit në QKUK
Një zënkë mes tregtarëve që dyshohet të jetë nisur për shkak të hapësirës në Tregun e kafshëve në Prizren ka përfunduar me hedhjen e një granate dore.
Nga shpërthimi në mëngjesin e së mërkurës janë plagosur 10 persona.
Pesë prej të plagosurve pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin Rajonal të Prizrenit janë liruar, ndërkaq pesë të tjerët kërkuan trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.
Mjeku kujdestar në QKUK, Avdush Bajgora, tha se gjendja e të lënduarve është stabile, pos njërit pacient, i cili i është nënshtruar operimit.
“Nga Prizreni janë sjellë pesë pacientë si rezultat i lëndimit me një mjetë plasës me c’rastë pacientat kanë pësuar lëndime, dy prej pacienteve kanë lëndime në regjionin e qafës, gjithashtu ata kanë edhe lëndime të ekstremiteteve të trupit. Ndërsa njëri nga pacientët ka pësuar siç quhet në zhargonin mjekësorë pleumetraks si rezultat i depërtimit të predhës në pjesën toraks, e konkretisht në mushkëri, te i cilit është intervenuar, për momentin pacientët janë në ekzaminim të mëtejmë”, ka deklaruar Bajgora.
Nga Prokuroria Themelore e Prizrenit kanë thënë se njëri prej të dyshuarve për hedhjen e mjetit shpërthyes është arrestuar në vendin e ngjarjes.
Edhe
Nëntë të lënduar nga hedhja e granatës së dorës në tregun e kafshëve në Prizren
“Tre persona janë identifikuar, ndërsa njëri prej tyre është arrestuar dhe është në masën e ndalimit, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë në kërkim. Prokuroria dhe policia janë duke punuar intensivisht për kapjen e tyre”, ka thënë Prokuroria.
E në njoftimin e Policisë, thuhet se janë dy të dyshuar, përfshirë edhe të arrestuarin.