Kuvendi i Kosovës e ka kaluar projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në 264 euro. Nëpërmjet një dispozite, deputetë të Vetëvendosjes dhe ata të Listës Serbe kanë vendosur që veteranët e UÇK-së të mos mund të përfitojnë pensione në lartësinë e pagës minimale të rritur, por ai do të mbetet 170 euro, sa është paga minimale aktualisht. Pas votimit në parim të projektligjit, ka reaguar opozita, ndërkaq përfaqësuesit e veteranëve kanë paralajmëruar protesta për të enjten
Kuvendi i Kosovës ka miratuar të martën në lexim të parë projektligjin që i hap rrugë ngritjes së pagës minimale.
Pas miratimit në lexim të dytë të projektligjit, Qeveria do të mund ta kthejë në vendim përcaktimin që paga minimale të rritet në 264 euro, nga 130 euro, përkatësisht 170 euro sa është aktualisht.
Nëpërmjet iniciativës ligjore, Qeveria ka hequr detyrimin që veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës t’ua japë pensionet në nivelin e pagës minimale.
Shkëputja e pensionit të tyre nga paga minimale, prej muajsh është kundërshtuar nga partitë opozitare, përfaqësues të të cilave e kanë theksuar këtë qëndrim edhe të martën kur projektligji ka dalë për votim në seancën e Kuvendit.
Para se ai të vihej për votim, me një konferencë për media, kryetari i Partisë Demokratike (PDK), Memli Krasniqi, i ka bërë thirrje Qeverisë, si propozuese e projektligjit, që ta tërheqë atë. Krasniqi ka thënë se duke mos përfshirë veteranët në projektligj, Qeveria Kurti ua ka mohuar atyre kontributin dhe është duke ua lëkundur dinjitetin. Ai njoftoi se grupi parlamentar i PDK-së nuk do të merrte pjesë në seancën e së martës.
“Injorimi dhe mospërfshirja e kompensimit të veteranëve të UÇK-së në ligjin për pagën minimale është një turp, pjesë e të cilit ne nuk do të bëhemi kurrë dhe do ta kundërshtojmë fuqishëm. I bëj thirrje edhe një herë qeverisë që ta kthejë prapa këtë projektligj dhe të mos e procedojë tutje për miratim”, është shprehur Krasniqi para se të niste seanca plenare.
Me të nisur ajo, të njëjtën thirrje Qeverisë ia ka bërë edhe shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri. Ai ka thënë se projektligji si i tillë, me ngritjen e planifikuar, nuk do të ketë ndonjë efekt, meqë sipas tij, në Kosovë pothuajse të gjitha pagat janë mbi atë që Qeveria synon ta vendosë si minimale të lejuar. Përveç kësaj, sipas Tahirit, ajo që është edhe më e papranueshme është mospërfshirja e veteranëve të UÇK-së.
“Mendoj qe do të ishte e mençur dhe profesionale që ky ligj të tërhiqet nga ministri Murati”, ka thënë ai.
Por, pavarësisht thirrjeve, projektligji që ishte i pari në rend dite, është vënë për votim dhe ka kaluar me 68 vota për dhe 6 abstenime të grupit multietnik. Votë pro, përveç deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet, kanë dhënë edhe ligjvënësit e Listës Serbe (LS), ani se votat e tyre nuk ishin përcaktuese për kalimin e projektligjit.
Në votim nuk kanë marrë pjesë deputetët e Lidhjes Demokratike (LDK) dhe as ata të AAK-së, e po kështu as deputeti i LVV-së, Fatmir Humolli, i cili kalimin e projektligjit e ka quajtur “rezultat të koalicionit Vetëvendosje-Lista Serbe”.
Kundër miratimit në parim të këtij projektligji kanë dalë edhe veteranët, përfaqësues të të cilëve kanë paralajmëruar një protestë tjetër për të enjten e 16 qershorit, pas asaj që është mbajtur më 6 qershor, dhe e cila e kishte penguar vazhdimin e seancës së paraparë për atë ditë, kur projektligji nuk qe miratuar në mungesë kuorumi.
Në njoftimin e lëshuar nga ushtruesi i detyrës së kreut të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, votimi është quajtur i turpshëm.
“Kuvendi i turpit të Kosovës, deputetët e pushtetit (me ndonjë përjashtim), së bashku me pakicat, të rrethuar me forca policore, miratuan në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e ligjeve me anë të të cilit u përjashtuan veteranët e luftës së UÇK-së edhe nga paga minimale”, është thënë në komunikatë.
Forca të Policisë janë vendosur në oborrin e Kuvendit gjatë kohës që projektligji shqyrtohej nga deputetët. Në parkingun e tij kanë qenë edhe automjete të njësisë speciale.
Pas miratimit të projektligjit, në një konferencë të jashtëzakonshme, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka ngritur akuza tradhtie mbi kryeministrin Albin Kurti e kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Ai ka thënë se me kalimin e këtij projektligji, kanë fituar bashkëpunëtorët e UDB-së në Kosovë.
“Sot jemi dëshmitarë që në Parlamentin e Kosovës është rikthyer Rrahman Morina, UDB-a dhe Lista Serbe. Kanë votuar bashkë. Pamja më e turpshme që ka mundur t’i ndodhë Kosovës”, ka thënë Haradinaj.
Shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka akuzuar PDK-në për pjesëmarrjen e LS-së në votim. Sipas saj, kjo ka ndodhur me instruksione të PDK-së, vetëm për të krijuar përshtypje në publik për një bashkëpunim LVV-LS.
“Grupi Parlamentar i LVV-së ka diskutuar vetëm me grupin multietnik. Fatkeqësisht, në mungesë të PDK-së ata e dërguan Listën Serbe që t’i japin këtë konotacion i cili pastaj u përcoll edhe nga shoqata e veteranëve në reagimin e tyre. Si pozitë sot nuk kemi kërkuar votë nga Lista Serbe. Ka muaj tashmë që ata janë rreshtuar krah opozitës”, ka thënë Kusari-Lila.
Pas seancës, kryeministri Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Facebook, është deklaruar se votimi për projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale, është lajm i mirë për qytetarët. Në postim, ai nuk ka përmendur veteranët.
“Mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat përfitojnë rritje mbi 100%, respektivisht mbi 50% të pagës së tyre mujore, ndërkaq plot 380 mijë punëtorë të sektorit privat dhe publik përfitojnë prej lirimit nga tatimi i të ardhurave deri në shumën e pagës minimale. Përveç se po e rrisim pagën minimale për herë të parë pas 11 vitesh, po e rrisim atë më shumë se çdoherë tjetër më parë”, ka thënë Kurti.
Në seancën e mbajtur të martën, Kuvendi ka miratuar në parim edhe rishikimin e buxhetit për vitin 2022. Ka miratuar projektligjin për provimin e jurisprudencës, projektligjin për pijet e forta alkoolike, projektligjin për krijimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit hapësinor në Kosovë, si dhe Projektligjin për mbeturinat nga industritë nxjerrëse të mineraleve. Në këtë seancë janë përzgjedhur edhe anëtarët e Komisionit për Autoritetin e Konkurrencës dhe katër zëvendës të Avokatit të Popullit. Ndërkaq, në mungesë kuorumi, ka dështuar zgjedhja e një anëtari të Komisionit të Pavarur për Media.