Përkundër anulimit të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian për shkak të dështimit të tenderit, kryeministri Albin Kurti ka realizuar një vizitë të shkurtër në Bosnjë-Hercegovinë. Atje, Kurti do të takohet me përfaqësues politikë dhe ata të organizatës joqeveritare “Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99”. Shkuarja e Kurtit në Sarajevë ka nxitur reagimin e presidentit të entitetit të Republikës Serbe, Milorad Dodik, duke e cilësuar provokim
Kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar të enjten në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës, ku do të ketë takime me përfaqësues politikë dhe do të marrë pjesë në një organizim të shoqatave joqeveritare.
Vizita është realizuar me gjithë anulimin e Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, për shkak se dështoi tenderi për organizimin e kësaj ngjarjeje. Shkuarja e tij shtetin që ende se ka njohur pavarësinë e Kosovës e as s’e ka zbatuar marrëveshjen për lëvizjen vetëm me letërnjoftime, ka nxitur reagime të shumta tek entiteti i Republikës Serbe atje.
Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se përkundër anulimit të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor, Kurti do ta zhvillojë një vizitë të shkurtër atje.
"Kryeministri i Republikës së Kosovës udhëton sot nga Brukseli për në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës. Ky udhëtim i kryeministrit në Bosnjë-Hercegovinë ishte paraparë të ndodhte në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian që planifikohej të mbahej më datë 4 dhe 5 dhjetor në Neum. Për shkak të disa problemeve të cilat tashmë i ka bërë të njohura organizatori, ky samiti është anuluar”, ka thënë Kryeziu. “Megjithëkëtë, kryeministri do të realizojë një vizitë të shkurtër në Sarajevë, ku do të ketë takime me përfaqësues të institucioneve dhe përfaqësues politikë, si dhe do të marrë pjesë në një organizim të organizatës joqeveritare ‘Asociacioni i Intelektualëve të Pavarur Krug 99’”.
Këshilli i Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës ka marrë vendim për të anuluar samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian (BE), i cili ishte planifikuar të mbahej më 4 dhe 5 dhjetor në Neum të Bosnjës.
Lajmin për Radion Evropa e Lirë e ka konfirmuar zëvendëskryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, njëherësh ministri i Mbrojtjes, Zukan Helez. Sipas tij, samiti është anuluar sepse ka dështuar tenderi për organizimin e kësaj ngjarjeje. Ai ka shtuar se tenderi i ri për organizimin e samitit do të shpallet shpejt dhe se me shumë gjasë kjo ngjarje mund të mbahet në janar të vitit të ardhshëm.
Kjo ngjarje ishte planifikuar të mblidhte udhëheqësit kryesorë nga rajoni dhe BE-ja, me synimin për ta forcuar bashkëpunimin dhe për të shqyrtuar çështje të rëndësishme politike, ekonomike dhe shoqërore.
Shkuarjen e Kurtit në Sarajevë, presidenti i entitetit të Republikës Serbe, Millorad Dodik, e ka quajtur provokim. Në shenjë proteste ministrat serbë bojkotuan të enjten seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës. Sipas Dodikut, Kurti shkoi në Sarajevë për të folur për pakicat kombëtare ndërsa vetë si kryetar i Republikës Serbe shkon në Sarajevë për t’u paraqitur në gjykatë.
“Ndërsa Kurti, përgjegjës për sulmet e shumta ndaj popullit serb dhe vendeve të shenjta ortodokse, është mirëpritur me respekt në Sarajevë, unë, presidenti i zgjedhur i serbëve në Bosnjë-Hercegovinë, jam në gjyq sepse nuk respektoj ligjet që nuk janë miratuar me vullnetin e popullit, por në zyrat dhe kuzhinat e atyre që sot qëndrojnë pas këtij provokimi”, ka thënë Dodik.
Në gusht, Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës ngriti aktakuzë kundër Dodikut dhe ushtruesit të detyrës së drejtorit të gazetës zyrtare të Republikës Serbe, Millosh Lukiqit, për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnjë-Hercegovinë, Christian Schmidt. Aktakuza ndaj tyre u ndryshua dhe u konfirmua pastaj më 11 shtator.
Në qershor, Asambleja Kombëtare e Republikës Serbe miratoi ligje në lidhje me mospublikimin e vendimeve të përfaqësuesit të Lartë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës. Përfaqësuesi i Lartë Schmidt më pas vendosi t'i shfuqizojë ato.
Dodik nënshkroi dekretin për hyrjen në fuqi të këtyre ligjeve dhe Lukiq i publikoi ato në Gazetën Zyrtare të Republikës Serbe.
Kur e shfuqizoi ligjin e Republikës Serbe, Schmidt vendosi ndryshime në Kodin Penal të Bosnjë-Hercegovinës, sipas të cilit mosrespektimi i vendimeve të përfaqësuesit të Lartë është vepër penale.
Ndërkaq nënkryetarja Stasha Kosharac duke shpjeguar vendimin për bojkotimin e seancës së Këshillit të Ministrave rikujtoi faktin që Bosnjë-Hercegovina nuk e njeh Kosovën dhe “se kjo nuk do të ndodhë kurrë”. Sipas saj, kjo sjellje e “shkelësve të Sarajevës” shkakton pasiguri.
“Kurti është një bandit që organizon sulme ndaj popullit serb dhe kishës ortodokse serbe. Dhe si mund ta mirëpresim një njeri të tillë këtu?", ka thënë ajo.
Përfaqësuesit e Republikës Serbe në Grupin e Punës për Zhvillimin e Agjendës së Reformës njoftuan se nuk do të marrin pjesë as në seancën e këtij komisioni, e cila po ashtu është caktuar për 5 dhjetor.
Bosnjë-Hercegovina duhet ta dërgojë agjendën e reformave në Bruksel për të realizuar përfitimet nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, i cili kap një vlerë totale prej gjashtë miliardë eurosh. Bosnja është i vetmi vend në rajon që nuk e dërgoi këtë dokument për shkak të mosmarrëveshjeve politike rreth ligjeve për gjykatat dhe Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës.
Ky shtet refuzon ta njohë Kosovën për shkak të kundërshtimit të Republikës Serbe, që kryesohet nga prorusi Dodik, i sanksionuar nga SHBA-ja për minimin e Marrëveshjes së Dejtonit. Ai ka penguar edhe hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së arritur në Procesin e Berlinit, për heqjen e regjimit të vizave ndërmjet dy vendeve.
Në samitin e mbajtur në tetor të këtij viti në Berlin, kryeministri Kurti deklaroi se nga 1 janari i vitit 2025, Kosova do t'i lejojë njëanshëm qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës të hyjnë vetëm me letërnjoftim.
Osmani takohet me ndihmëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Tom Goffus
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Bruksel është takuar të enjten me ndihmëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Tom Goffus. Osmani ka njoftuar se në këtë takim kanë diskutuar për sigurinë në Kosovë. “Në NATO, në diskutime me ndihmëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Tom Goffus, për punën dhe angazhimet tona të përbashkëta për paqe e siguri në Kosovë”, ka shkruar Osmani.
Një ditë më parë ajo ka takuar presidentin e ri të Këshillit Evropian, Antonio Costa, presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe ndihmëssekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James O'Brien, të cilëve u ka thënë se institucionet e Kosovës kanë prova sa prapa sulmit në “Ibër-Lepenc” qëndron Serbia.