Kritika të shumta rreth veriut të Kosovës i janë adresuar kryeministrit Albin Kurti, nga deputetët opozitarë në seancën e Kuvendit. Ata e akuzuan udhëheqësin e Qeverisë për rënie në kurthin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe se nuk po arrin që t’i gjejë një zgjidhje situatës në veri. Polemika pushtet-opozitë ka nxitur edhe fjalimi i një jave më parë në Kuvend i presidentes Vjosa Osmani
Kritika ndaj kryeministrit Albin Kurti rreth mosgjetjes së një zgjidhjeje për situatën e tensionuar në veri të Kosovës kanë adresuar të premten deputetët opozitarë.
Në seancën e Kuvendit, të fundit për sesionin vjeshtor, ata e kanë akuzuar udhëheqësin e Qeverisë së Kosovës se ka rënë në kurthin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
Deputeti i LDK-së, Anton Quni, theksoi se për sigurinë në veri tani po përkujdesen policët që i kualifikoi si të poshtëruar nga Kurti.
“Janë po të njëjtët policë që në të kaluarën nga vetë kryeministri e disa përkrahës të tij u dhunuan e u ofenduan, bile duke i krahasuar me primitivë. Qe besa u bënin thirrje poshtëruese që të shkonin në Mitrovicë”, u shpreh ai.
“Kryeministër, duhet të dalësh prej lugut që ta ka përgatitur Vuçiqi. Përtoj me dhanë porosi që dihen, por komunikimi me NATO-n dhe Amerikën është i domosdoshëm dhe është detyrë e jotja dhe s’ka të bëjë me vullnetin tënd”, deklaroi deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.
Për kritikat, Kurti nuk dha përgjigje, porse në debat u përfshi kur deputetja opozitare, Ganimete Musliu, e pyeti se përse nuk po emërohen sekretarët e përgjithshëm nëpër ministri që operojnë vetëm me ushtrues detyre. E me përgjigjen e marrë, deputetja nuk ishte e kënaqur.
“Prapë nuk u përgjigjët, jeni mësuar veç të flisni e të mos thoni asgjë”, i tha Musliu.
“Unë iu përgjigja juve sipas të gjitha kritereve racionale dhe të parlamentarizmit, por e kam një pyetje për ju. A dini me më tregu çka ju tregova?” u kundërpërgjigj Kurti.
“Ky hajgaraxhia këtu, i cili e ka bërë shtetin llugë, nuk i shiten më mashtrimet, nuk i shiten më rrenat, nuk i shiten më gënjeshtrat, ti je vetëm një hajgarexhi”, reagoi më pas Musliu.
Më pas ajo i tha Kurtit se po filozofonte, për ta nxitur intervenimin e kryeparlamentarit.
“Gane, kujdes, mos m’u përziej në profesion, kur po thua mos filozofo. Se me filozofu nuk është bash kollaj”, reagoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Në seancë deputetë të Partisë Demokratike ngritën vërejtje rreth fjalimit të javës së shkuar të presidentes Vjosa Osmani në Kuvend e në të cilin ata nuk patën marrë pjesë.
“Presidentja Osmani është dashur të raportonte pse s’ka njohje, pse s’ka anëtarësim në organizata dhe mekanizma ndërkombëtarë, pse s’ka rezultat në dialog, pse ka degradim të diplomacisë e shumë pse të tjera”, tha deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.
“Meqenëse në këtë parlament javën e kaluar na kanë munguar deputetët, të cilët nuk e kanë dëgjuar fjalimin e presidentes, ju rekomandoj ta dëgjojnë në Youtube ose ta gjejnë me shkrim dhe ta lexojnë edhe një herë”, u përgjigj deputeti i VV-së, Haxhi Avdyli.
Krahas diskutimeve, asnjë prej katër marrëveshjeve ndërkombëtare, që ishin pjesë e rendit të ditës në seancën e së premtes, nuk është ratifikuar si shkak i mungesës së numrave.
Miratimin e deputetëve e mori vetëm Ligji për Verifikim dhe Krahasim të Pronës, ani se në rend dite ishin edhe pesë të tjerë.