LAJMET E MBRËMJES

Vendimet e Qeverisë: Viza rusëve e masa për përballje me krizën e shkaktuar nga pushtimi i Ukrainës

Angazhimi i mjekëve nga diaspora në Kosovë ka qenë fokusi që kabineti qeveritar i ka dhënë në mbledhjen e mbajtur të premten. Gjatë saj, janë miratuar disa propozime për lehtësimin e procedurave për angazhimin e tyre. Qeveria, në këtë mbledhje, ka vënë viza për shtetasit rus, derisa ka prezantuar edhe projektligjin për masat e produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Regjim vizash u ka vënë Qeveria e Kosovës shtetasve të Rusisë të premten.

Në mbledhjen e ekzekutivit është pezulluar përkohësisht zbatimi i dy pikave të vendimit të marrë nga Qeveria e drejtuar nga Hashim Thaçi, në nëntor të 2013-s.

“Me pezullim të këtyre dy pikave të gjithë shtetasit e Federatës Ruse bartës të pasaportave të rregullta, zyrtare e diplomatike si dhe ata që kanë leje qëndrim biometrik valid të lëshuar nga shtetet e zonës Schengen do të obligohen të pajisen me vizë të Republikës së Kosovës, për hyrje qëndrim dhe transit në territorin e Republikë së Kosovës”, ka thënë kryeministri Albin Kurti.

Ky vendim është pjesë e masave ndëshkuese që Kosova i ka ndërmarrë ndaj Rusisë, për shkak të agresionit në Ukrainë.

Lufta e nxitur në Ukrainë krahas sferave të tjera ka ndikuar edhe në atë të ekonomisë, gjë që ka shkaktuar rritje të çmimeve.

Në Qeveri, të premten u prezantua projektligji për vendosjen e masave të përkohshme, si shkak i siç tha ministrja Rozeta Hajdari, rritjes së paarsyeshme të çmimeve.

“Komisioni ndërministror i formuar për këtë çështje ka bërë analizën e produkteve themelore në treg. Në bazë të këtij raporti është vërtetuar se marzha tregtare për artikujt bazik ose themelor nuk është e njëjtë te të gjithë operatorët ekonomikë si dhe mungon baza ligjore që kontrollon marzhën ligjore dhe çmimet e artikujve shpesh për çmimet bazë me marzhë të paarsyeshme”, ka thënë ministrja e Industrisë.

Ndër tjerash, kabineti qeveritar ka lehtësuar procedurat edhe për angazhimin e profesionistëve shëndetësorë nga diaspora.

Qeveria po ashtu ka alokuar mbi 3 milionë e 24 mijë euro për Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për barna dhe material shpenzues.