LAJMET E MBRËMJES

Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor mblidhen në Durrës

Në qendër të diskutimeve pritet të jetë perspektiva evropiane e rajonit dhe zbatimi i Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian, që synon përshpejtimin e integrimit dhe zhvillimit ekonomik të vendeve të rajonit. Kosovën do ta përfaqësojë presidentja Vjosa Osmani

Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen të hënën në Durrës për Samitin e Iniciativës Brdo-Brioni, i cili fokus kryesor ka perspektivën evropiane të rajonit.

Nën moton “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”, Samiti organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Natasha Pirc Musar dhe Zoran Milanoviq, dhe drejtohet nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.

Në thelb të diskutimeve do të jetë Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, një instrument financiar me vlerë 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027, i cili synon integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun e përbashkët të BE-së.

Sllovenia, një nga nismëtaret e procesit që filloi në vitin 2013, pritet të theksojë edhe një herë se zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor mbetet mjeti “më efektiv gjeopolitik për të siguruar stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon.”

Përveç rritjes ekonomike, takimi do të fokusohet edhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar të gjithë anëtarët e Iniciativës. 

Midis udhëheqësve të pranishëm do të jenë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës dhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Kosova nga Plani i rritjes pritet të përfitojë rreth 880 milionë euro. 

Përfitimet më të mëdha do t’i ketë Serbia me mbi 1.5 miliard pasuar nga Shqipëria me 920 milionë euro, Bosnja dhe Hercegovina me 900 milionë euro, Maqedonia e Veriut me mbi 750 milionë si dhe Mali i Zi me 380 milionë.

Iniciativa Brdo-Brioni, e cila synon nxitjen e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe integrimin evropian, mbahet çdo vit që nga themelimi i saj në vitin 2013. 
Vitin e kaluar, Samiti u zhvillua në Mal të Zi. 

Vjet, udhëheqësit u zotuan për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, reforma të mëtejshme, dhe zbatimin e Agjendës së Gjelbër për rajonin. 

Takimi i këtij viti në Durrës pritet të vijojë me të njëjtin zotim, duke i dhënë rëndësi të veçantë dimensionit ekonomik.