Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, bashkë me presidenten e Sllovenisë Natasha Pirc Musar e presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, dy prej nismëtarëve të samitit po presin liderët e rajonit në nisje të Samitit të Iniciativës së Brdo-Brionit, që po mbahet në Durrës.
Aty ka arritur edhe presidentja Vjosa Osmani.
Liderët që marrin pjesë përveç Osmanit, janë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, Presidenti i
Malit të Zi Jakov Milatoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, si dhe Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Në thelb të diskutimeve në Samitin e Iniciativës Brdo-Brioni do të jetë Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, një instrument financiar me vlerë 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027, i cili synon integrimin gradual të vendeve të rajonit në tregun e përbashkët të BE-së.
Sllovenia, një nga nismëtaret e procesit që filloi në vitin 2013, pritet të theksojë edhe një herë se zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor mbetet mjeti “më efektiv gjeopolitik për të siguruar stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon.”
Përveç rritjes ekonomike, takimi do të fokusohet edhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar të gjithë anëtarët e Iniciativës.
Kosova nga Plani i rritjes pritet të përfitojë rreth 880 milionë euro.
Përfitimet më të mëdha do t’i ketë Serbia me mbi 1.5 miliard pasuar nga Shqipëria me 920 milionë euro, Bosnja dhe Hercegovina me 900 milionë euro, Maqedonia e Veriut me mbi 750 milionë si dhe Mali i Zi me 380 milionë.
Iniciativa Brdo-Brioni, e cila synon nxitjen e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe integrimin evropian, mbahet çdo vit që nga themelimi i saj në vitin 2013.
Vitin e kaluar, Samiti u zhvillua në Mal të Zi.
Vjet, udhëheqësit u zotuan për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, reforma të mëtejshme, dhe zbatimin e Agjendës së Gjelbër për rajonin.
Takimi i këtij viti në Durrës pritet të vijojë me të njëjtin zotim, duke i dhënë rëndësi të veçantë dimensionit ekonomik.
