Rreth 5 mijë e 84 maturantë sot i janë nënshtruar afatit të dytë të provimit të maturës shtetërore, që u mbajt në 59 shkolla.
Për mbarëvajtjen e testit, mësimdhënësit e kanë ndërprerë grevën, të cilën e nisën dy ditë më parë.
“Sot ne e kemi ndërprerë grevën, për shkak të mbajtjes së maturës shtetërore për nxënësit. E kemi ndërprerë shkaku i nxënësve, sepse greva do të fillojë posa të kryhet testi i maturës shtetërore”, tha Hamid Doda, profesor në shkollën e mesme profesionale “Ismail Dumoshi”, Obiliq.
Megjithëse mësimdhënësit i pezulluan veprimet sindikale për këtë proces, edhe kësaj radhe ata nuk ia dolën të ndalojnë kopjimin dhe shpërndarjen e testeve dhe përgjigjeve në rrjetet sociale.
Në kohën sa organizohej testi, një grup prej mbi 9 mijë maturantësh në Facebook shpërndau një vjegëz, për t’u anëtarësuar në grupin tjetër në Viber, ku edhe pasoi kopjimi.
Por, maturantët që mbajtën testin në shkollën “Dardania”, thanë se në këtë qendër kontrolli ishte i rreptë.
“Sot e kemi pasur testin e maturës. Ka shkuar shumë mirë. Telefonat nuk na i kanë lejuar, edhe ka qenë testi shumë i lehtë, nuk ka qenë aq vështirë”, tha maturantja Ria Krasniqi.
“Testi në krahasim me herën tjetër ka shkuar super. Jemi përgatitur më shumë për test kësaj here edhe besoj që kemi për ta kaluar…. Nuk na lanë të kopjojmë administratorët”, tha maturanti Gon Salihu.
“Testi shkoi këtë here mirë. Për shkak se herën e parë kam qenë shumë e stresuar, këtë herë më e qetë, më e vendosur, më mirë…. Nuk ka pasur parregullsi, për shkak se kam mësuar…”, tha maturantja Nita Ademi.
MASHT-i një ditë më parë kishte kërkuar nga personat e angazhuar në proces që t’i realizojnë detyrat e caktuara dhe të raportojnë për çdo parregullsi.
Pas përfundimit të testit, në MASHT kanë thënë se sipas informatave të para gjithcka ka shkuar sipas planit dinamik të punës.
“Në ato raste ku janë evidentuar parregullsi do të ndërmerren masa që parashihen me Ligjin e Maturës, si ndaj administruesve, ashtu edhe ndaj nxënësve”, thuhet nga MASHTI.
Rezultatet e afatit të dytë të provimit të maturës shtetërore pritet të shpallen më së largu me datën 7 shtator.