Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Terras: E ardhmja e Kosovës në BE, por anëtarësimi kërkon reforma

Terras: E ardhmja e Kosovës në BE, por anëtarësimi kërkon reforma

Në kohën kur Kosova po përballet me procesin e funksionalizimit të institucioneve pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në Prishtinë ka qëndruar raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras. Pas takimeve me liderë institucionesh e të partive politike, ai ka thënë se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian

Yllnora Elshani Arifaj

E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian e për ta arritur këtë qëllim duhen reforma, ka thënë raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, që të martën ka zhvilluar vizitë në Prishtinë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai është pritur në takime të ndara nga drejtues të institucioneve dhe partive politike, e pas tyre ka bërë edhe një postim në rrjetin X.

“Këtë mëngjes u takova me Albulena Haxhiun, Glauk Konjufcën dhe Bedri Hamzën. Diskutuam për politikën në Kosovë dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian. E ardhmja e Kosovës qëndron në Bashkimin Evropian, por anëtarësimi kërkon reforma. Ne po punojmë për këtë”, ka shkruar Terras.

Për takimin ka dhënë detaje edhe ushtruesja e detyrës Albulena Haxhiu, e cila ka kërkuar nga BE-ja që t’i kryejë edhe ajo detyrimet e saj ndaj Kosovës.

“Në takim theksova se Kosova e ka përcaktuar prej kohësh drejtimin e saj dhe se e ardhmja e vendit tonë është në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Fola gjithashtu për sigurinë, dialogun me Serbinë dhe mungesën e përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë. Kosova i ka marrë seriozisht detyrimet e saj dhe pret të njëjtin seriozitet edhe nga Bashkimi Evropian’’, ka thënë Haxhiu.

Në kohën kur kryeministri Albin Kurti është duke qëndruar në Greqi për vizitë zyrtare, eurodeputetin Riho Terras e ka pritur zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca.

Në njoftimin e ministrisë, është thënë se theks i veçantë gjatë diskutimit i është vënë formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të parakohshme.

“U diskutua për zhvillimet politike në vend, formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare, si dhe për procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme dhe të Diasporës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, ka thënë se Kosovës i nevojiten institucione funksionale që marrin vendime, zbatojnë reforma dhe rindërtojnë besimin me partnerët ndërkombëtarë.

Hamza ka thënë se edhe ai ndan shqetësimin e shprehur në raportin e PE-së për Kosovën lidhur me pamundësinë e krijimit të institucioneve plotësisht funksionale për një periudhë të gjatë.

“Stabiliteti nuk duhet të nënkuptojë vetëm formimin e institucioneve, por edhe qeverisjen demokratike, dialogun politik dhe respektimin e Kushtetutës”, ka shkruar Hamza.

Gjatë orëve të pasdites, Terras është pritur edhe nga kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku.

Lideri i LDK-së ka thënë se respektimi i plotë i vullnetit qytetar dhe i standardeve demokratike mbetet thelbësor.

“Pas certifikimit të rezultateve, është e domosdoshme të ndërmerren hapat e nevojshëm për krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale, në shërbim të interesit të Republikës së Kosovës’’, ka thënë Abdixhiku.

Vizita e raportuesit për Kosovën në PE është bërë, pasi në mesin e muajit qershor, PE-ja ka miratuar rezolutën vjetore për Kosovën. Pas miratimit të rezolutës, Terras pati thënë se reformat dhe përparimi në dialogun Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga blloku, mbeten kyç në rrugën evropiane të Kosovës.