LAJMET E MBRËMJES

Të enjten në Kuvend pritet të debatohet për grevën e përgjithshme

Deputetët e Kuvendit pas pushimeve do t’u kthehen seancave plenare nga e enjtja.

Për këtë ditë janë paraparë miratimi i dy projektligjeve që lidhen me Ministrinë e Mbrojtjes, me agjencitë ekzekutive e raportet dhe rekomandimet e institucioneve të Kuvendit.

Kuvendi do të diskutojë edhe për humbjen e mbi 580 mijë orëve mësimore deri tash nga greva në arsim.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së ka thënë se kjo është pika e 8-të nga 15 pikat që i ka në rend të ditës.

“Janë deklarimet jashtë rendit të ditës, pyetjet parlamentare dhe tri projektligje të Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës. Projektligji në lexim të parë për Shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës, Projektligji në lexim të parë për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji në lexim të parë për Ministrinë e Mbrojtjes. Gjithashtu sot përfaqësues të opozitës kanë propozuar debatin parlamentar për grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, pikë kjo që u dakorduam ta kemi si pikën e tetë”, tha Mimoza Kusari-Lila.

Të shqetësuar për grevën kanë thënë se janë edhe deputetet e opozitës, të cilët e kanë akuzuar për kokëfortësi kryeministrin.

Kanë kërkuar nga të dyja palët që të fillojnë dialogun për të gjetur një zgjidhje.

“(Mendoj se nuk ka se si të fillojë ndryshe ky sesion vjeshtor parlamentar pa një debat rreth grevave që janë duke ndodhur në Republikën e Kosovës). Kjo është java e tretë, e hëna e tretë që do të duhej të fillonte mësimi, por si rezultat i një kryeneçësie nga kryeministri dhe Qeveria e Kosovës, mungesë të një dialogu social me sindikatat kemi ardhur në një situatë ku greva po vazhdon dhe ata që po humbin më së shumti janë fëmijët tanë”, tha shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

“Prioriteti i parë për ne është miratimi i Projektligjit për Paga dhe fillimi i zbatimit të tij më 1 janar. Nuk ka logjikë që ky ligj të vazhdojë të jetë në konsultime publike dhe të thuhet se do të hyjë në fuqi vetëm në fund të vitit të ardhshëm. Pra, prioriteti i parë është miratimi, sjellja në Kuvend, diskutimi dhe hyrja në fuqi më 1 janar”, tha shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

Këtë të hënë Kosova ka hyrë në javën e tretë të grevës në sektorin publik vazhdimi i së cilës po vlerësohet se është duke bërë dëm madhor te nxënësit.

Por Ekzekutivi ka thënë se nuk është e vërtetë se mungon dialogu mes sindikatave dhe tyre. Zëdhënësi i Qeverisë ka përmendur mbi 30 takime mes zyrtarëve qeveritarë dhe udhëheqësve të sindikatave.