LAJMET E MBRËMJES

Sveçla e Simiqi polemizojnë për rrugët ilegale e për Radojçiqin

Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për çështje të sigurisë dhe të mbrojtjes, ministri Xhelal Sveçla është përplasur me deputetin e Listës Serbe Sllavko Simiq. Të dy kanë polemizuar për rrugët ilegale që policia i ka mbyllur në veri, me qëllim të ndaljes së propagandës, e po kështu edhe për Millan Radojçiqin, të cilit Sveçla i ka bërë thirrje që të përballet me drejtësinë, pas dyshimeve për përfshirje në vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

Mbyllja e rrugëve në veri e ka përplasur ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për çështje të sigurisë dhe të mbrojtjes, Sveçla ka thënë se do të mbyllen të gjitha rrugët ilegale dhe se s’ka rrugë alternative siç i ka quajtur Simiqi. E Simiq ka shprehur shqetësim për qasje në shërbime, e produkte bazike për qytetarët që banojnë thellë në veri.

“Në atë zonë nuk ka rrugë alternative. Ka rrugë ilegale, të cilat shteti i Kosovës ka vendosur t’i mbyllë. Midis dy shteteve nuk mund të ketë rrugë alternative pa marrëveshje të saktë mes dy vendeve”, ka thënë Sveçla.

“Kemi banorë në moshë të shtyrë, të cilëve u është pamundësuar të shkojnë deri në spital, deri te mjeku, fëmijëve u është vështirësuar e pamundësuar të shkojnë deri në shkollë”, është përgjigjur nënkryetari i Listës Serbe.

Gjatë ditës, KFOR-i ka konfirmuar asistencën për të rregulluar pengesat në dy rrugë në afërsi të vijës kufitare. Ministri Sveçla tha se bëhet fjalë vetëm për dislokim të bllokadave.

Gjatë raportimit në Komision, ministri Sveçla e deputeti Simiq polemizuan edhe për nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radojçiqit, i cili ndodhet në arrati, pas ngritjes së dyshimeve se është i përfshirë në vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.

“Do t’ju lusja që t’i bënit apel zëvendëskryetarit tuaj që të vijë e të përgjigjet para organeve të drejtësisë për akuzat me të cilat është ballafaquar e të cilave u ka ikur. Ka pasur zyrtarë policorë që për shkak të kësaj, janë suspenduar”, ka thënë Sveçla.

“Z.ministër, sa i përket nënkryetarit të Listës Serbe, që e thërrisni të vijë këtu, kur ta ndani punën e policisë nga puna e organeve të drejtësisë, përkatësisht të politikës nga drejtësia, atëherë ai do të vijë, e jo t’i montohet ndonjë proces politik jo tash, por vjetëve të kaluar”, është përgjigjur Simiq.

Gjatë raportimit të ministrit, deputetët shprehën shqetësimet për sulmet e armatosura kundër policisë, të cilat kanë ndodhur në dy javët e fundit në veriun e banuar kryesisht me serbë dhe kërkuan që kryesit e sulmeve të vihen para drejtësisë.