“Situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet e brishtë. Dhuna që ka shpërthyer në Kosovë ishte e papranueshme. Dhe kjo ka çuar në vendimin e komandantëve tanë ushtarakë për ta rifuqizuar misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, me 1 mijë trupa shtesë”, ka thënë Stoltenbergu në një konferencë shtypi në Bruksel, bashkë me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq
Sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veriatlatike të NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka vlerësuar si ende shumë të brishtë situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor teksa ka thënë që ka potencial për tensione në Kosovë dhe në Bosnjë-Hercegovinë.
Këtë Stoltenbergu e ka thënë të premten në një konferencë shtypi në Bruksel bashkë me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq, teksa e ka përsëritur gatishmërinë e NATO-s për garantimin e stabilitetit dhe paqes në të dyja vendet.
Ai e ka quajtur të papranueshëm dhunën e vitit të shkuar në Kosovë, kur në fundshtator një grup i armatosur serb ka sulmuar Policinë në fshatin Banjskë të Zveçanit, një prej katër komunave veriore të banuar kryesisht me serbë.
“Situata në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbetet e brishtë. Dhuna që ka shpërthyer në Kosovë ishte e papranueshme. Dhe kjo ka çuar në vendimin e komandantëve tanë ushtarakë për ta rifuqizuar misionin paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, me 1 mijë trupa shtesë”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, pas takimit me kryeministrin malazias.
Pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, në të cilin pati mbetur i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, NATO-ja ka përforcuar misionin e KFOR-it që tani numëron 4.500 pjesëtarë.
Stoltenbergu ka theksuar se NATO-ja në vazhdimësi po e bën vlerësimin e situatës, teksa ka shprehur gatishmërinë për shtimin e mëtutjeshëm të pranisë në Kosovë.
E rritjen e numrit të ushtarëve të saj në kuadër të KFOR-it e ka ngritur si mundësi edhe kryeministri i Malit të Zi, shtet ky anëtar i NATO-s që nga viti 2017.
“Jemi të gatshëm që të fuqizojmë praninë tonë në Kosovë. Mendojmë se aty situata së fundi është qetësuar, por ne jemi përherë të gatshëm të ndihmojmë, pasi që është në interesin tonë të thellë kombëtar që ta ruajmë paqen në Kosovë”, ka thënë Spajiq.
Stoltenberg dhe Spajiq kanë bërë të ditur se në takimin e zhvilluar mes tyre është diskutuar për çështjet e Ballkanit Perëndimor, për forcimin e NATO-s dhe mbi përgatitjet për samitin e Aleancës Veriatlantike që do të mbahet në Washington.
Në konferencën në Bruksel, shefi i NATO-s ka theksuar se Aleanca ka bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian për sa i përket çështjeve që ndërlidhen me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai e ka nënvizuar njashtu rëndësinë e mbështetjes së dialogut midis Kosovës e Serbisë për normalizimin e raporteve, i cili po zhvillohet nën lehtësimin e BE-së.
Lidhur me sulmin në Banjskë, autoritetet në Kosovë kanë fajësuar shtetin e Serbisë teksa autoritetet në Beogradin zyrtar e kanë mohuar pretendimin. Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e ka marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, parti kjo më e madhe e serbëve të Kosovës që e ka mbështetjen e Serbisë.
Pas marrjes së përgjegjësisë, Agjencia Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) ka lëshuar fletarrestim kundër Radoiçiqit.