Vetura të parkuara kanë qëndruar për të katërtën ditë radhazi në të dy anët e rrugës që shpien drejt pikëkalimit kufitar midis Kosovës e Serbisë, në Jarinjë.
Pranë barrikadave që janë vendosur në fillim të fshatit Rudar, të martën afro 100 protestues kanë vazhduar të qëndrojnë të barrikaduar, me gjithë temperaturat e ulëta.
Në Policinë e Kosovës kanë thënë se, me gjithë kërkesat nga ndërkombëtarët për heqjen e barrikadave, gjendja në veri ka mbetur e pandryshuar.
“Situata e sigurisë në veri të vendit edhe sot vazhdon të jetë e njëjtë që nga vendosja e barrikadave nga grupet kriminale. Po ashtu, edhe dy pikat kufitare - Jarinjë dhe Bërnjak - vazhdojnë të jenë të mbyllura tashmë për arsye të njohura, pasi që grupet kriminale po e pengojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe të qarkullimit të mallrave”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Vëzhgimin e situatës së sigurisë në këtë pjesë, të martën misioni i KFOR-it e ka bërë me anë të helikopterëve. E nëpërmjet një reagimi, në këtë mision kanë kërkuar që zgjidhja për situatën të gjendet me anë të dialogut.
“E vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme është që Beogradi dhe Prishtina t'i zgjidhin çështjet e tyre nëpërmjet dialogut dhe të arrijnë një zgjidhje që i respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve. Është e rëndësishme që të shmanget çdo përshkallëzim i ri dhe që çështja të zgjidhet në mënyrë paqësore, sepse dhuna nuk ka vend në rajon”, thuhet nga KFOR-i.
E që tensionet të ulen, kërkesë ka adresuar edhe sekretari i përgjithshëm i Aleancës Veriatlantike të NATO-s, Jens Stoltenberg. Ai në një intervistë për televizionin francez “France24”, u ka bërë thirrje palëve për përmbajtje nga retorika dhe veprimet përshkallëzuese.
“Mesazhi im për të gjitha palët e shqetësuara është që të përmbaheni nga retorika dhe veprimet përshkallëzuese, si dhe të ndihmoni në uljen e tensioneve. Forcat tona atje janë të gatshme, vigjilente. NATO-ja dhe BE-ja po punojnë ngushtë së bashku”, tha Stoltenberg.
Barrikadat në rrugët që shpien drejt dy pikat kufitare - Jarinjë e Bërnjak - janë vendosur që nga pasditja e së shtunës. Shkas për këtë është bërë arrestimi i ish-zyrtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ai është i dyshuar për pjesëmarrje në sulmet ndaj zyrtarëve policorë dhe ndaj zyrave të komisioneve zgjedhore në veri, në fillim të dhjetorit.