Presidentja ka propozuar amendamentimin e Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme teksa ka shprehur pakënaqësi për mospërfshirjen e grupit për barazi gjinore të Këshillit në hartimin e tij. Vërejtje ka shprehur edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj, i cili ka thënë se është duke e shqyrtuar mundësinë që ta dërgojë Ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se kontestimi i ligjeve në Kushtetuese po ndikon në vonesën e reformave. E ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për vonesa në trajtimin e ligjeve
Pakënaqësi rreth Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme janë shprehur të enjten në takimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.
Presidentja Vjosa Osmani, si nikoqire e takimit, ka propozuar amendamentimin e Ligjit teksa ka shprehur pakënaqësi për mospërfshirjen e grupit për barazi gjinore të Këshillit në hartimin e tij, në mënyrë që në listat zgjedhore dhe në institucione të ketë përfaqësim të barabartë për gratë.
“Edhe një herë, për të gjithë burrat e partive politike një inkurajim që kjo çështje të rregullohet sa më parë që të jetë e mundur. Dhe natyrisht dua t’ua bëj një thirrje të gjithë deputetëve të Kosovës, burra dhe gra, bashkërisht, që të bëjmë këtë hap përpara, sepse është hap drejt demokracisë”, ka thënë Osmani, në takimin e së enjtes, në të cilin kanë marrë pjesë kryeministri, Albin Kurti, ministra të kabinetit qeveritar, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë dhe të shoqërisë civile.
Vërejtje ka shprehur për mospërputhjen e Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme me atë për barazi gjinore ka shprehur edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tek ka thënë se është duke e shqyrtuar mundësinë që ta atakojë atë në Gjykatën Kushtetuese.
“Konsideroj se nëse dëshirojmë që të kemi ndryshime dhe ta luftojmë mendësinë patriarkale e pabarazinë gjinore, atëherë këtë fillimisht duhet që ta vendosim në kornizën ligjore, pastaj të krijojmë mekanizma që t’i zbatojmë ato ligje”, ka thënë Qelaj.
E presidentja Osmani ka kërkuar që deputetëve t’u jepet edhe një mundësi tjetër për të ndërmarrë veprime të nevojshme rreth Ligjit, përpara se ai të dërgohet në Kushtetuese nga Avokati i Popullit.
“Në qoftë se edhe mazhoranca, por edhe partitë opozitare, do të pajtoheshin, do të zgjidhej ky problem shumë më mirë në mënyrë që pastaj të mos presim edhe një vit derisa të trajtohet kërkesa juaj në Gjykatë Kushtetuese dhe të bllokohet një prej ligjeve që në fakt janë fundamentale në procesin tonë të reformave”, ka thënë ajo.
E për dërgimin e ligjeve në Gjykatë për verifikim të kushtetutshmërisë janë adresuar kritika nga udhëheqësit e institucioneve. Kryeministri Kurti ka thënë se atakimi i 10 ligjeve në Kushtetuese brenda më pak se një vit ndikon në vonimin e reformave të synuara.
“Të gjithë e dimë që Kuvendi i Kosovës e ka Komisionin për Legjislacion dhe të gjitha çështjet e ligjeve që sponsorizohen nga Qeveria dhe më pastaj votohen nga Kuvendi trajtohen aty. Mirëpo e kemi një lloj aktivizimi të çuditshëm, i cili na i vonon neve reformat dhe e humb kohën e çmuar të popullit të Kosovës dhe të Republikës sonë”, ka theksuar Kurti.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shprehur vërejtjen për vonimin e shqyrtimit të ligjeve të kontestuara në Gjykatës Kushtetuese.
“Gjykata Kushtetuese e ka me ligj dy muaj afatin për t'i trajtuar ligjet që kontestohen nga Kuvendi i Kosovës. Por në ligjet e ndjeshme dhe asnjë ligj tjetër gjykata nuk e respekton këtë afat kohor. Dy muaj e ka me ligj, në anën tjetër për vettingun e presim qe 10 muaj, për byronë për konfiskimin e pasurisë po ashtu presim qe 10 muaj. Këshillin Prokurorial e ka shpallur të pavlefshëm dhe e kemi pritur 9 muaj. Kjo tregon që Gjykata Kushtetuese nuk është në ndjeshmërinë e njëjtë siç janë qytetarët e Kosovës, të cilët mezi presin jetësimin e këtyre reformave”, ka thënë Haxhiu, e cila vettingun në sistemin e drejtësisë e ka kualifikuar si një prej reformave kryesore.
Por, qëndrim tjetër prej udhëheqësve shtetërorë ka shprehur Avokati i Popullit, Qelaj. Ai ka thënë se institucionet duhet që të përballojnë shtyllat e ndara të pushtetit.
“Besoj që vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimeve të ekzekutivit dhe legjislativit është vlerë e shtuar e demokracisë dhe unë konsideroj se nuk i bën dëm demokracisë dhe të drejtave të njeriut, por përkundrazi është vlerë e cila mbron raportet mes institucioneve”, ka thënë ai.
Qelaj pati kritikë për institucionet edhe sa i përket adresimit të rekomandimeve që i lëshon institucioni, të cilin ai e drejton, teksa ka theksuar që deri më tani vetëm 20 për qind e rekomandimeve të dhëna janë zbatuar.
“Pra, kemi një numër të madh të rekomandimeve që presin zbatim nga autoritetet dhe institucionet e vendit. Nëse rekomandimet e Avokatit të Popullit prekin të gjitha sferat e të drejtave të njeriut dhe e pasqyrojnë vetë gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, besoj se është përgjegjësi e të gjitha autoriteteve që zbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit ta kenë prioritet", ka thënë ai.
Në takimin e së enjtes presidentja Osmani ka theksuar përgjegjësinë e institucioneve për parandalimin e vrasjes së grave, për adresimin e të cilave raste ka kërkuar fuqizimin e mekanizmat përgjegjës për adresim.
Shumica dërrmuese e vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë, ku gratë ishin viktima të bashkëshortëve ose partnerëve të tyre kanë mundur të parandaloheshin nëse do të kishte veprime të menjëhershme të institucioneve përgjegjëse”, ka thënë Osmani.
Këshilli për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut është themeluar nga presidentja Osmani me qëllim të adresimit të zotimeve të marra nga Samiti për Demokraci, i organizuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden.