Serbia ka lëshuar fletarrestim ndaj një pjesëtari të Policisë së Kosovës, që ka ndërhyrë në incidentin e së premtes në Mitrovicë të Veriut, kur në shesh marshuan maturantë serbë. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se polici do të arrestohet kurdo që të jetë e mundur dhe se fletarrestimi ndaj tij nuk do të shfuqizohet. E pretendimet për dhunë ndaj maturantit, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i quajti propagandë të Serbisë
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka lëshuar fletarrestim ndaj policit të Kosovës, Dylot Brahimi, i cili ka ndërhyrë në incidentin e së premtes në Mitrovicë të Veriut, kur maturantë serbë marshuan në shesh.
Në njoftimin që e dha, Daçiqi e akuzoi policin Brahimi për sulm fizik dhe për lëndim të një nxënësi serb që po festonte mes një grupi maturantësh.
Ai tha se fletarrestimi për policin nuk do të shfuqizohet asnjëherë.
“Ministria e Brendshme ka lëshuar një urdhër arresti për Dylot Brahimin, një oficer policie i institucioneve të përkohshme në Prishtinë, i cili dje në fund të vitit shkollor në veri të Mitrovicës sulmoi fizikisht dhe plagosi një nxënës serb të shkollës së mesme. Brahimi do të arrestohet kur të jetë në dispozicion të policisë serbe, nga sot e tutje, pa afat parashkrimi, sa herë që të jetë e mundur”, ka thënë Daçiq.
Gjatë defilimit të maturantëve serbë në Mitrovicë të Veriut, autoritetet në Kosovë thanë se disa pjesëmarrës i provokuan qytetarët, qoftë me simbole nacionaliste, qoftë me thirrjet “Kosova është zemra e Serbisë”.
Në Polici thanë se qëllimi i reagimit ka qenë evitimi i përshkallëzimit të situatës, porse nuk e kanë komentuar fletarrestimin e lëshuar ndaj zyrtarit policor.
Por deklarimet e Daçiqit për sulm fizik nga ana e policit të Kosovës, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka quajtur propagandë.
“Kërkesën e zyrtarit policor që grupi mos të provokojë qytetarët në mënyrë që situata mos të eskalojë ata e quajnë dhunë dhe vendosjen e dorës e quajnë ngufatje. Shfaqjet e tyre të ekstremizmit dhe shovinizmit i quajnë festë, kurse ngjyrën e kuqe me të cilën ata kanë ngjyrosur figura të ndryshme në trup tentojnë ta paraqesin si gjak. Asgjë e re nga ta”, ka thënë Sveçla.
Në videon që është publikuar pas këtij incidenti, shihet polici Brahimi tek e fton maturantin serb që të qetësohet dhe të mos provokojë.
Aty dëgjohen këngë nacionaliste serbe dhe shihet edhe një qytetar që bën me duar shqiponjën dy krenare.
Ndaj këtij incidenti ka reaguar të shtunën edhe ministri në detyrë për Komunitete dhe kthim, Nenad Rashiq, që rastin e cilësoi si përdorim të papërshtatshëm të forcës nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ndaj maturantit.
“Përdorimi i mundshëm i forcës ndaj të rinjve, veçanërisht në momente simbolike siç është festimi i maturës, paraqet një goditje serioze ndaj vlerave themelore demokratike dhe përkeqëson edhe më tej marrëdhëniet tashmë të brishta në veri të Kosovës. Të hënën do të paraqes një kërkesë zyrtare në Inspektoratin Policor të Kosovës për një hetim urgjent dhe gjithëpërfshirës të të gjitha rrethanave të këtij rasti, në mënyrë që të përcaktohet përgjegjësia dhe të parandalohet përsëritja e incidenteve të ngjashme në të ardhmen”, ka thënë Rashiq.
Policia e Kosovës e ka një udhëzim të brendshëm, me të cilin i urdhëron pjesëtarët e saj që të shmangin kalimin nëpër shtetin e Serbisë.