LAJMET E MBRËMJES

Rifat Jashari me mesazh për klasën politike: ‘Të ndahemi njëherë e përgjithmonë nga Serbia”

“Uniteti para Serbisë”, ka qenë mesazhi që kryefamiljari i Jasharëve, Rifat Jashari, ka përçuar të hënën nga Kuvendi i Kosovës në seancën solemne të mbajtur për nder të 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së. Vepra e tij, për të mbajtur gjallë historinë e Jasharëve, u çmua lart nga liderët e shtetit, derisa lartësuan qëndresën e familjes së tij e luftën e bërë më 5, 6 e 7 mars të ‘98-s.

Me duartrokitje deputetët e Kuvendit të Kosovës e mysafirë të shumtë pritën Rifat Jasharin, vëllain e Hamëz e Adem Jasharit.

I shoqëruar nga krerët e shtetit, ardhja e Jasharit do të shënonte fillimin e seancës solemne, që edhe kësaj radhe nisi me rreth 15 minuta vonesë.

Në fillim të saj u intonua himni i Kosovës e ai kombëtar për të vazhduar me një minutë heshtje në nder të të rënëve për liri.

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se beteja e Jasharëve u shndërrua në frymëzim për të rinjtë e ndikoi në mobilizimin e bashkësisë ndërkombëtare.

“Nuk thuhet kot se popujt të cilët e harrojnë historinë e tyre rrezikojnë t`i nënshtrohen përsëritjes së saj. Prandaj, ne duhet dhe do ta mbajmë të gjallë kujtesën e familjes Jashari dhe të gjithë luftën e UÇK-së, të cilët ata e bënë për vendin. Ne duhet ta ruajmë kujtesën për rezistencën e kësaj familjeje të prirë nga komandanti legjendar Adem Jashari, por edhe sakrificën e një populli të tërë si pjesë e historisë së dhimbshme...”, ka theksuar Osmani.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se ngjarje të ngjashme si ajo e luftës së Prekazit e sakrificës së Jasharëve nuk njeh historia e botës.

I emocionuar, Konjufca kujtoi kthimin e Rifat Jasharit në Prekaz pas vrasjes së 55 anëtarëve të familjes së tij.


“Me plis në kokë dhe mustaqet e tij të bardha, në atë ecje titanike ai bartte mbi supet e tij si kreshtat e maleve tona krejt dhimbjen tonë historike, por edhe krenarinë tonë më të lartë. I kishte humbur 55 anëtarë të familjes, prej tyre gruan dhe 4 fëmijët e tij, prindërit e tij, vëllezërit bashkë me gratë e tyre dhe 9 nipa e mbesa. Por, ishte ai që i ngushëllonte të tjerët, familjarët e gjallë, ushtarët e UÇK-së dhe bashkëfshatarët e tij. Të dashur vëllezër e motra, vetëm për një minutë mundohuni, ju lutem, ta zini vendin e Bacit Rifat, dhe më thoni – a nuk është pikërisht ky definicioni i heroit tonë të gjallë”, është shprehur Konjufca.

Rifat Jasharit, sipas kryeministrit Albin Kurti, i mbeti detyra më e vështirë, ajo e ruajtjes së trashëgimisë e peshës historike të familjes Jashari.

“Duke qëndruar sipas traditave më të fisme shqiptare në krye të kullës, Rifat Jashari është kthyer në një hallkë të çeliktë që e ka ruajtur dhe e ruan të pathyer zinxhirin e gjatë të vazhdimësisë së familjes Jashari, si dhe të gjithë asaj historie të lavdishme, heroike dhe të pashembullt të Jasharëve të Prekazit, për të arritur me të gjitha vlerat dhe rëndësinë që ka deri në kohët e sotme”, ka deklaruar Kurti.

Sikurse nisi, seanca u përmbyll me duartrokitje për Rifat Jasharin i cili, ndonëse fjalëpakë, kishte një mesazh për përfaqësuesit e shtetit.

“Këtu është Kuvendi ku merren vendimet për të ardhmen e vendit, për të ardhmen e shtetit. U kisha preferuar që të jeni të një gjuhe, të një qëndrimi dhe të kalojmë këtë sfidë që e kemi përpara. Të ndahemi njëherë e përgjithmonë prej Serbie e tani kemi kohë me u marrë me të tjerat”, ka theksuar Jashari.

Në seancën solemne për nder të Epopesë së UÇK-së u deklaruan edhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës, me përjashtim të Listës Serbe, që në këso raste zakonisht nuk marrin pjesë.