Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Reciprociteti dhe targat s’diskutohen më 18 gusht në Bruksel, opozita kërkon koordinim me SHBA-në

Reciprociteti në dokumente dhe targat ilegale nuk do të jenë pjesë e diskutimit në takimin që do të mbahet më 18 gusht në Bruksel mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Nga Qeveria e Kosovës thonë se vendimet janë ndërmarrë nga institucionet e Kosovës dhe të parapara edhe në marrëveshjet e kaluara të Brukselit.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, nuk ka dhënë informacione rreth agjendës së takimit.

“Për agjendën e takimit do t’ju njoftojmë me kohë. Vendimet për targa dhe dokumente për hyrje-dalje janë vendime të qeverisë, që janë të parapara edhe në marrëveshjet për të cilat palët janë dakorduar në të kaluarën, andaj ato nuk mund të jenë temë diskutimi e këtij takimi”, tha Kryeziu.

Hollësi për këtë takim nuk ka dhënë as zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Edhe Qeveria: Reciprocitetin dhe targat nuk i diskutojmë në Bruksel Arbëri Qeveria: Reciprocitetin dhe targat nuk i diskutojmë në Bruksel

Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, për KosovaPressin ka thënë se zhvillimet në veri të Kosovës e kanë ndryshuar dinamikën e dialogut.

“Natyrisht nuk pritet që i njëjti të vazhdojë ashtu siç ishte para atyre ngjarjeve. Për këtë arsye, presioni i madh ndërkombëtar pritet të intensifikohet edhe më shumë, pasi kjo është mënyra e vetme që palët të kenë vullnet më të madh dhe mundësi për të arritur një zgjidhje. Zgjidhja natyrisht do të jetë kreative, pasi Serbia nuk mund të pranojë bllanko vendimin e Kosovës, s’i ka pranuar as vendimet e kaluara”, tha Muhaxhiri.

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë të bindura se Qeveria nuk është koordinuar me partnerët ndërkombëtarë për vendosjen e reciprocitetit për targat dhe letërnjoftimet me Serbinë.

Këto dy parti po kërkojnë nga ekzekutivi që të ketë dakordim sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por duke mos anashkaluar edhe Bashkimin Evropian.

“Besoj që është e rëndësishme që koordinimi të jetë sidomos me SHBA-në, sepse gjithmonë ka qenë përkrah çdo zhvillimi të Kosovës. Sidomos në pjesën e sigurisë gjithmonë është SHBA që ka dhënë vulën e fundit dhe është faktor sigurie edhe në rajon. Një koordinim i mirëfilltë na duhet me ShBA-në pa e anashkaluar pjesën e BE-së”, tha deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

“Shpresojmë të mos ndodhë më e keqja. Mirëpo, rreziku është në pah ku jemi duke parë që gjithmonë është duke u rrezikuar situata edhe mbas 30 ditësh nëse ndodh reciprociteti dhe kjo do të vazhdojë ne do të shohim vetëm keqësim të situatës”. “Kryeministri gjithmonë duhet të jetë në koordinim me SHBA-në dhe BE-në”, tha deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi.

Edhe Arbëri Borrell: Vuçiqi e pranoi marrëveshjen, Kurti jo

Bashkimi Evropian e kishte planifikuar një takim mes Kurtit dhe Vuçiqit për javën e fundit të korrikut, por i cili nuk u mbajt me kërkesë të Serbisë.

Vendimi për shtyrjen e masave të reciprocitetit për dokumentet identifikuese dhe ndërrimin e targave është marrë pas tensioneve e bllokimit të rrugëve në veri.