LAJMET E MBRËMJES

Rasti i kontratave të lobimit të Ministrisë së Integrimeve, dëshmon eksperti i prokurimit Sheqiri

Eksperti i prokurimit, Agim Sheqiri, e ka përmbyllur dëshminë e tij për rastin e kontratave të lobimit të Ministrisë së Integrimeve Evropiane. Në këtë rast po akuzohen ish-ministrja Dhurata Hoxha, ish-sekretarët Kushtrim Cukaj, Demush Shasha e Nuhi Osmani, si dhe ish-shefi i prokurimit Fitim Mustafa për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Sheqiri ka vlerësuar se me kontratat e lobimit u përjashtua konkurrushmëria dhe se nuk u kryen shërbimet e parapara në këto kontrata

Pyetjeve të shumta iu përgjigj eksperti i prokurimit Agim Sheqiri, në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prishtinë për rastin e kontratave të lobimit të Ministrisë së Integrimeve Evropiane.

Prokuroria Speciale për këtë rast ka ngritur aktakuzë më 2021, ku për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-ministrja Dhurata Hoxha, ish-sekretarët Kushtrim Cukaj, Demush Shasha e Nuhi Osmani, si dhe ish-shefi i prokurimit, Fitim Mustafa.

Ata ngarkohen me akuzën për aprovimin e proceseve të firmosjes së kontratave të pagesave me kompanitë “Majorelle PR” dhe “Madison” në vlerë mbi 100.000 euro secila.

Anëtari i trupit gjykues, Mentor Bajraktari, i kërkoi Sheqirit sqarime se përse në ekspertizën e tij ka shkruar se me veprimet që janë ndërmarrë nga të pandehurit mund të dëmtohej buxheti, kur nuk ka bërë hulumtim tregu.

“Në rast të aplikimit të procedurave të lartcekura a është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës? Keni thënë: mungesa e konkurrencës mund të ndikojë që AK-së të mos përmbushet parimi vlerë për paranë që do të thotë çmimi në raport me shërbimet e kontraktuara shumë më i lartë. Pse e keni përdorur shprehjen mund të mos përmbushet dhe nuk e keni e keni përdorur shprehjen edhe mund të përmbushet? Pse keni thënë që mund të jetë shumë më i lartë” kur mund të jetë shumë më i vogël? Sepse keni thënë në mënyrë alternative, domethënë përgjigje jo të saktë", pyeti Bajraktari. 
 

“Ke te drejtë, përderisa nuk e ke një indikator matës edhe vetë vlera e tenderit mund të nënvlerësohet ose të mbivlerësohet...Për këtë në prokurim publik është parim konkurrueshmëria, ne duhet ta kemi një kundërkandidat për ta vlerësuar se a po paguajmë në atë parimin vlera për paranë, kosto në cilësi dhe në kohë”, tha Sheqiri. 

Sheqiri tha se faturat e “Majorelle PR” u nënshkruan, megjithëse shumica e shërbimeve nuk iu operuan Ministrisë.

“Nga 10 termat e referencës, gjithmonë janë fatururar 3 terma të referencës që nënkupton që s’është përmbushur as 50 për qind e obligimeve që janë marrë në raport me kërkesat”, tha Sheqiri. 

Gjatë mbrojtjes së ekspertizës së tij, ai tha se me kërkim online i ka rezultuar që kompania “Madison”, bazuar në emrat e pronarëve, nuk merret me marketing, por është një rrjet restorantesh.

Nga të akuzuarit, Sheqiri u pyet se a është lobimi publik apo jo, porse eksperti refuzoi të përgjigjej me arsyetimin se nuk është çështje që bie nën domenin e ekspertizës së tij.