Arbëri

Prokuroria apelon aktgjykimin lirues për ish-ministren Dhurata Hoxha

Prokuroria Speciale i ka kërkuar Gjykatës së Apelit që ish-ministrja Dhurata Hoxha dhe tre të bashkakuzuarit të dënohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare apo që rasti të kthehet në rigjykim te një trup tjetër gjykues. E mbrojtësit e të akuzuarve që ishin prezentë në sallë, të martën, kanë thënë se aktgjykimi lirues i Themelores nuk ka mangësi ligjore dhe është i drejtë

Prokuroria Speciale ka parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit për rastin ku shkalla e parë i liroi nga aktakuza ish-ministren Dhurata Hoxha, Fitim Mustafën - zyrtar i prokurimit në këtë ministri, e Gëzim Dushin - menaxher i kontratave, të cilët akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Po ashtu, Ekrem Tahiri, bashkëpronari dhe drejtor i kompanisë “PR Solutions” akuzohej për ndihmë në keqpërdorim.

Ish-ministrja Hoxha në këtë rast akuzohej se i përdori paratë e dedikuara për promovimin e integrimit evropian të Kosovës në funksion të fushatës së saj zgjedhore.

Prokuroria Speciale i ka kërkuar Apelit që ta anulojë aktgjykimin e Themelores apo që me aktgjykim të ri t’i dënojë të pandehurit.

“Kundër këtij aktgjykimi ka parashtruar ankesë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 të Kodit të Procedurës Penale, shkelje të ligjit penal nga neni 385, si dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike nga neni 386 me propozim që Gjykata e Apelit ta anulojë aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe ta kthejë në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë apo me alternativë ta ndryshojë aktgjykimin dhe të akuzuarit t’i shpallë fajtorë për veprat penale në aktakuzë. Po ashtu ka propozuar që gjykata e shkallës së parë  të caktojë një trup tjetër gjykues të caktuar sipas sistemit SMIL”, ka thënë Mentor Bajraktari, gjyqtar referues.

E avokatët e të pandehurve kanë thënë se aktgjykimi i Themelores është i drejtë, meqë aktakuza e Prokurorisë nuk është vërtetuar me asnjë provë.

“Konsiderojmë që aktgjykimi i shkallës së parë nuk ka pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe gjatë gjithë procedurës, e cila është zhvilluar në shkallë të parë nuk janë identifikuar dhe evidentuar shkelje esenciale të dispozitave të kodit të procedurës penale. Gjithashtu konsiderojmë që edhe gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të saktë, të plotë e po ashtu jemi të bindur që gjykata e ka aplikuar drejt ligjin penal”, ka thënë Arbër Jashari, avokat i të akuzuarit Fitim Mustafa.

Njëjtë ka thënë edhe Driton Muharremi, avokat i të akuzuarit Ekrem Tahiri.
“Ne kemi insistuar tërë kohën, sidomos për të mbrojturin tim, ‘a bën të na e prezantoni një provë, veç një provë se fushata zgjedhore e ish-ministres Dhurata Hoxha është financuar përmes kampanjës që ka qenë në kuadër të Ministrisë së Integrimeve’, nuk ka qenë në gjendje (ta vërtetojë me) asnjë provë të vetme. Gjithmonë është thirrur në një faturë të Rrokum TV që nuk ka pasur as emër, as datë e asgjë dhe për atë faturë u vërtetua më vonë që s’ka të bëjë fare me të njëjtën”, ka thënë ai.

Në aktakuzën e vitit 2022, organi i akuzës ka pretenduar se Hoxha ka përdorur paratë e taksapaguesve të ndara për fushatën informuese lidhur me procesin e liberalizimit të vizave dhe për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, në funksion të fushatës së saj për zgjedhjet e vitit 2019.