Për një vizitë dyditore po qëndron raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për Liri të Mendimit dhe Shprehjes, Irene Khan. Ajo të hënën mori pjesë në mbledhjet e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe për Administratë Publike. Khan theksoi se të ardhurat e mediave ndikojnë në pavarësinë e tyre
Anëtarë të komisioneve për të Drejtat e Njeriut dhe Administratë Publike, pritën të hënën raportuesen Speciale të Kombeve të Bashkuara (OKB) për Liri të Mendimit dhe Shprehjes, Irene Khan.
Ajo po qëndron në Kosovë për të mbledhur fakte mbi lirinë e shprehjes, në bazë të të cilave do të hartojë edhe një raport.
“Pavarësia e mediave varet nga financimi i mediave. Antitoda më e mirë për lajmet e rreme, nuk është censurimi, por shpërndarja e lirë e informacionit. Kështu që media e lirë dhe e pavarur të jetë faktorë”, tha Khan.
Kryetarja e Komisionit për të Drejta të Njeriut, Duda Balje, ka thënë se ka ende punë që të përmirësohet liria e shprehjes.
“Jemi duke punuar këtu kemi edhe shumë anë pozitive. Por duhet që hala të punojmë shumë më shumë. Duke filluar nga vetë Kuvendi se sa kemi të drejtë që të flasim, këtu kemi pikëpyetje”, tha Balje.
E kryetari i Komisionit për Administratë Publike, Valon Ramadani, është mburrur me strehimin e gazetarëve ukrainas në Kosovë.
“Kosova ka dëshmuar që po angazhohet çdo ditë që qytetarët të jenë të lirë. Raporti i ‘Freedom House’ e tregon këtë më së miri. Vendi ynë ka zgjedhur rrugën e demokracisë. Kjo arritje për një kohë kaq të shkurtër na jep kurajë që të vazhdojmë”, tha Ramadani.
Sipas tij, shqetësuese mbeten sulmet ndaj gazetarëve në veri të vendit.