LAJMET E MBRËMJES

Qeveria thotë se po trajton modelet e ofruara nga Lajçak për komunitete joshumicë

Agjendën e takimit të 18 marsit nuk e ka bërë të ditur të hënën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Pesë ditë nga takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq, Kurti ka bërë të ditur se janë duke shqyrtuar modelet e ofruara nga Bashkimi Evropian lidhur me atë se si trajtohen komunitetet joshumicë. Qëndrime të ndryshme kanë partitë politike të përfaqësuara në Kuvend lidhur me takimin Kurti-Vuçiq, që do mbahet në Ohër.

Qeveria e Kosovës është duke trajtuar modelet e ofruara nga emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se janë 15 sosh që përdoren në vendet e BE-së, por se duhet parë se çfarë mund të merret prej tyre.

“Ato po trajtohen nga këshilltarët e mi, nga disa prej ministrave, në mënyrë që të shohim se çka është më e favorshme. Natyrisht, kushtetutshmëria, ligjshmëria, barazia, funksionimi i shtetit janë diçka me të cilin ne nuk bëjmë asnjëherë kompromis”, ka theksuar ai.

Derisa agjenda e takimit të 18 marsit ende nuk është zbardhur, kreu i Qeverisë ka thënë se ditëve në vijim do të dihet çfarë do të diskutohet.

Nga takimi ndërmjet kryeministrit Kurti e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ka pritje të ndryshme nga grupet parlamentare.

Mimoza Kusari-Lila nga Vetëvendosje ka thënë se Kosova ka treguar gatishmëri për t`u dakorduar lidhur me planin e veprimit, të dalë nga propozimi i BE-së

“Ajo çka ne presim është qasje konstruktive, edhe pse mund të flasim vetëm për njërën palë, në këtë rast është për palën e Kosovës, përderisa ka deklarata dekurajuese nga presidenti i Serbisë. Megjithatë, a do të ketë sukses apo jo takimi në Ohër mbetet të shihet në ditën e takimit”, ka deklaruar ajo.

Sipas Partisë Demokratike të Kosovës, propozimi evropian është marrëveshje e dëmshme.

“Ky është dëm i madh. Kjo është marrëveshja më e dëmshme që iu ka ofru Kosovën në tavolinë që prej fillimit të negociatave me Serbinë nga viti `99, kur jemi çliru”, ka theksuar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Një vlerësim tjetër ka shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri.

“Marrëveshja i ka pjesët që janë pozitive, po ashtu i ka edhe dilemat të cilat ne i kemi ngrit, të gjitha këto duhet të trajtohen me kujdes në funksion të një vendimi të mirë për qytetarët e Kosovës”, është shprehur Tahiri.

Këto komente shefat e grupeve parlamentare i bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Aty u vendos që këtë javë të mos mbahet ndonjë seancë plenare, për shkak të udhëtimeve që dy delegacione të Kuvendit kanë jashtë vendit.

Më 18 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen në Ohër. Plani i zbatimit të propozimit evropian do të jetë çështja mbi të cilën Bashkimi Evropian synon të dakordohen të dyja palët.