LAJMET E MBRËMJES

Qeveria ndan 23 milionë euro, kryesisht për ballafaqimin me krizën energjetike

Qeveri ka ndarë të mërkurën gjithsej 23 milionë euro, duke e dedikuar pjesën më të madhe të saj për përballjen me krizën energjetike. Në mbledhje është marrë edhe vendimi që t’i procedohet Kuvendit për ratifikim edhe nisma për përfshirje në Komisionit Ndërkombëtar për të Pagjetur

Gjithsej 23 milionë euro ka ndarë Qeveria të mërkurën, kryesisht për zbatimin e masave të energjisë, për subvencionimin e kursimit, si dhe për mbështetjen e punësimit të personave nga komunitetet joshumicë.

Nga kjo shumë, 10 milionë euro janë dedikuar për zbatimin e masave të efiçencës së energjisë, sipas planit për zbutjen e ndikimit socio-ekonomik të krizës energjetike dhe

9 milionë euro për zbatimin e vendimit për mbështetjen e tejkalimit të krizës energjetike, në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike.

Si pjesë e kësaj pakoje, 3 milionë euro janë ndarë për punësimin e komuniteteve joshumicë.

“Ndarjen e shumës prej 10 milionë euro për Fondin Kosovar për Efiçiencë të Energjisë që të mundësohet renovimi dhe të merren masa të tjera izoluese për të rritur efiçiencën e energjisë në ndërtesat e banimit social anekënd shtetit të Kosovës”, tha ministri i Fiancave, Hekuran Murati.

Një milion euro janë ndarë për projektin e monitorimit elektronike, për punësimin e grave, si dhe për përforcimin e qeverisjes digjitale për ofrimin e shërbimeve.

Krahas kësaj, Qeveria mori vendim që t’ia përcjellë Kuvendit për ratifikim edhe marrëveshjen për t’u bërë pjesë e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur.

Këtë Kurti e kualifikoi si lehtësim në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.

“Ky aderim, pas mandatit dhe statusit të ri që ICMP ka marrë viteve të fundit, do të jetë një rritje e këtij bashkëpunimi në këtë fazë të rëndësishme të procesit, njëkohësisht do të jetë edhe një mundësi që e kam prezantuar edhe kohë më parë gjatë takimit me ekspertët tanë mjekoligjorë mbi gatishmërinë për angazhim dhe dhënie të kontributit në ndriçimin e të vërtetës si në rastet e luftërave të tjera jashtë vendit tonë, siç ishte ajo në Ukrainë së fundmi, por edhe vatrat e tjera anë e mbanë botës”, deklaroi Kurti.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe përbërjen e re të bordit të SHSKUK-së.

E pas mbledhjes, zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, e kualifikuan si me ndikim për progresin dhe prosperitetin e komuniteteve joshumicë, vendimin e Qeverisë për mbështetjen e punësimit të tyre me 3 milionë euro.