Në vizitën e tij të befasishme në Athinë, presidenti i Ukrainës, Vlodimir Zelensky u takua me liderë të vendeve të Ballkanit, e përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian. Kurti e Zelensky në margjina të darkës, shtrënguan duart. E me Vuçiqin, presidenti Ukrainas u takua, por për të, vetëm për të nuk pati falënderime. Megjithëkëtë, Vuçiq ka thënë se nuk pret që Ukraina ta ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës
Prej të gjithë liderëve të Ballkanit dhe të Bashkimit Evropian (BE) që kanë marrë pjesë në “Darkën e Athinës”, kryetari i Ukrainës nuk mbajti takime bilaterale vetëm me atë të Kosovës, Bosnjë e Hercegovinës, Rumanisë dhe Moldavisë. Por, pati shtrëngim duarsh, në margjina të shënimit të 20-vjetorit të Samitit të Selanikut.
Mirënjohje për përkrahjen, Zelensky shprehu në postimet që bëri pas takimeve me liderët e Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bullgarisë si dhe me ata të Greqisë e BE-së.
Ndërsa nga të gjitha takimet bilaterale, Volodimir Zelensky falënderime nuk pati vetëm për kryetarin e Serbisë.
Pas takimit me Aleksandar Vuçiqin, Zelensky shkroi në rrjetin social Twitter se patën një diskutim të hapur e të sinqertë.
“Bisedim i mirë për respektimin e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe paprekshmërinë e kufijve. Në të ardhmen e përbashkët të kombeve tona në shtëpinë e përbashkët evropiane. Në zhvillimin e marrëdhënieve tona, që është interes yni i përbashkët”, ka shkruar Zelensky, pas takimit me Vuçiqin.
E Vuçiqi shkroi në Instagram se Zelenskyt ia ka shpjeguar situatën rreth Kosovës dhe se nuk mendon që pozicioni i Ukrainës ndaj saj do të ndryshojë, ka nxitur reagime.
“Ia shpjegova situatën rreth Kosovës. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim në pozicionin e Ukrainës në lidhje me integritetin tonë territorial. Ne e mbështetëm Ukrainën në rrugën e saj evropiane”, ka bërë të ditur Vuçiq.
Zelensky falënderoi presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ajo nëpërmjet një postimi në X, tha se ndihma e BE-së për Ukrainën do të vazhdojë.
“Ne diskutuam përparimin e Ukrainës në rrugën drejt BE-së si dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme përballë agresionit të Rusisë. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të sjellë grurin e Ukrainës në tregjet botërore dhe për të ofruar ndihmë ekonomike. Ne po mbështesim Ukrainën në përpjekjet e saj për të riparuar, rimëkëmbur dhe mbajtur shtetin në funksion. Sot ne i dhamë Ukrainës 1.5 miliard euro të reja. Dhe më shumë do të vijnë, këtë vit dhe më tej”, ka shkruar ajo.
Reagimet më të mëdha i ka nxitur takimi i presidentit ukrainas me homologun e tij të Serbisë, shtetit të vetëm në Evropë që nuk i ka vënë sanksione Rusisë pas agresionit mbi Ukrainën.
Para se të niste takimi, eksperti amerikan i politikës së jashtme dhe çështjeve të Ballkanit Edward Joseph, e këshilloi Zelenskyn që të mos e zgjasë takimin me Vuçiqin dhe të kthehet në Kiev e të punojë drejt njohjes së Kosovës.
“President Zelensky, mos bini në grackë për t’u përpjekur për të joshur Vuçiqin. Marrëdhënia e tij me Rusinë dhe fuqia e tij, e mbështet izolimin e Kosovës. Ne e dimë këtë duke u bazuar në akuzat e Beogradit dhe Moskës për lëvizjen që ka bërë përpara Kosova. Beogradi do të ketë vetëm një opsion, atë që qytetarët tuaj e kanë zgjedhur, opsionin për ta përqafuar NATO-n dhe BE-në. Një zgjidhje përfundimtare dinjitoze e çështjes së Kosovës do t’i shkaktojë goditje të madhe Putinit”, ka thënë Joseph.
Ndaj këtij takimi ka reaguar deputeti i Parlamentit ukrainas, Oleksiy Goncharenko. Ai ka thënë se është në rregull që Zelensky e Vuçiq të takohen, por se nuk duhet harruar se aleate e kujt është Serbia.
“Serbia është aleate e Rusisë. Ne nuk do të mund ta tërheqim Serbinë në anën tonë. Dhe kjo nuk është për shkak se ne jemi shumë të këqij, por sepse popullsia e Serbisë mbështet Rusinë në një shumicë të pabesueshme. A duhet të takohemi atëherë? Po sigurisht. A duhet të bëjmë kompromis me parimet tona? Jo. Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka thënë deputeti ukrainas.
Kryeministri Kurti sikurse edhe liderët e tjerë që nuk patën rastin të diskutojnë në takime bilaterale, postuan në rrjete sociale pamje nga takimet para dhe gjatë darkës, së organizuar nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis. Kurti publikoi një video të shkurtër, që tregon momentin e shtrëngimit të duarve me Zelenskyn.
Njëzet vjet pas samitit ku vendeve të Ballkanit Perëndimor iu premtua perspektiva evropiane, Greqia mblodhi sërish liderët e Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Moldavisë, Maqedonisë Veriore, Bullgarisë, Rumanisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Serbisë bashkë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel. Megjithatë, më shumë se diskutimet për të ardhmen evropiane, kësaj radhe vëmendjen e kapi pjesëmarrja e presidentit të Ukrainës.