LAJMET E MBRËMJES

Policia kritikohet se nuk po ofron informacione në serbisht

Të martën është publikuar raporti “Fuqizimi i përgjigjeve institucionale ndaj incidenteve të sigurisë në komunitetin serb”, i cili kërkon që policia të shtojë prezencën dhe aktivitetin në vendbanimet me serbë të kthyer në Kosovë. Gjatë publikimit të tij, përfaqësues të organizatave AKTIV dhe KIPRED kritikuan Policinë edhe për çështje të tjera

Përfaqësues të organizatës joqeveritare AKTIV janë ankuar se Policia e Kosovës nuk po ofron informacione në gjuhën serbe.

Ata e bën ankesën, të martën, gjatë ngjarjes ku, bashkë me Institutin KIPRED, publikuan raportin “Fuqizimi i përgjigjeve institucionale ndaj incidenteve të sigurisë në komunitetin serb”.

“Problem është pamundësia që Policia e Kosovës të ofrojë informatat në gjuhën serbe, ashtu siç e kanë edhe obligim kushtetues”, ka thënë Miodrag Miliçeviq nga organizata AKTIV.

E Lulzim Peci, drejtor i organizatës KIPRED, kritikoi policinë për mostransparencë, dhe kërkoi nga ajo që në sistemin e të dhënave të ketë klasifikim etnik të rasteve penale.

“Në këto sisteme duhet patjetër që të kemi një ndarje të të dhënave në bazë të komunave, etniciteteve, po ashtu edhe në bazë të gjinive. Për më tepër janë vërejtur mospërputhje ndërmjet të dhënave në dispozicion për publikun nga raportet ditore të Policisë së Kosovës dhe raportet vjetore të punës së Policisë së Kosovës. Kemi identifikuar se përmes raporteve ditore për vitet 2020 dhe 2021, në Raportin Vjetor të Punës së Policisë së Kosovës tregohet një numër dukshëm më i lartë i rasteve, gjithsej 15,986”, ka thënë Lulzim Peci.

Ndër rekomandimet e raportit janë që Policia të publikojë raporte statistikore tremujore dhe dyvjeçare, në të cilat do të bëhet ndarja e të dhënave në nivel komunal, rajonal dhe nacional.

Po ashtu u kërkua nga vendimmarrësit e nivelit lokal dhe qendror që të jenë më të zëshëm në dënimin e akteve të dhunës në zonat multietnike.

Rekomandim tjetër ishte që Policia e Kosovës, Gjyqësori dhe Prokuroria të punojnë ngushtë për të bashkëpunuar me qëllim sinkronizimin sistematik të aktiviteteve që do të çojnë në rritjen e zgjidhjes së rasteve të incidenteve në kohë dhe në mënyrë adekuate ligjore.

Raporti i publikuar përmban gjithsej 8 rekomandime për institucionet e Kosovës dhe kërkon që policia ta shtojë prezencën dhe aktivitetin në vendbanimet me serbë të kthyer në Kosovë, ku, sipas raportit, incidentet e sigurisë janë më të shpeshta dhe rrallë të trajtuara.