Identifikimi i kundërvajtjeve në trafikun rrugor i personave që janë në kërkim dhe i veturave pa regjistrim do të bëhet gjatë ditëve në vijim me anë të pajisjeve të reja të mençura.
Projekti “Patrulla Inteligjente” është prezantuar të martën nga përfaqësues të Policisë, me anë të një konference për media.
Samedin Mehmeti, drejtor i përgjithshëm i Policisë, ka bërë të ditur se policët që do të menaxhojnë me pajisjet e reja i janë nënshtruar trajnimit për përdorimin e tyre nga kompania prodhuese.
“Gjatë ditëve në vijim, në komunikacion do të jenë automjete dhe mjete teknike të cilat e ndryshojnë tërësisht qasjen e Policisë ndaj kundërvajtësve. Deri më sot, zakonisht kundërvajtjet janë identifikuar përmes ndalimit. Policia e ka ndaluar kundërvajtësin, e ka identifikuar kundërvajtjen dhe e ka shqiptuar masën e dënimit”, ka thënë ai.
Me anë të pajisjeve, Mehmeti ka thënë se do të kalohet nga forma klasike e ndaljes në atë bashkëkohore e digjitale të kontrollimit të automjeteve dhe kundërvajtjeve.
Edhe
Mehmeti për ngjarjet në veri: Janë hapur raste penale, jemi në hetime
“Duke bashkëpunuar me kompani të ndryshme, me organizata të ndryshme, konsultantë të ndryshëm teknikë të kësaj fushe, kemi ardhur në përfundim dhe kemi arritur që pas një procedure t’i blejmë pajisjet e nevojshme të cilat janë të nevojshme që të na mundësojnë t’i identifikojnë disa nga kundërvajtjet që më së shpeshti ndodhin. Por, edhe si pasojë e tyre më së shpeshti po kemi fatalitete”, ka thënë ai.
Ai ka treguar se shumë shpejt do të nisë identifikimi i kundërvajtjeve me pajisjet teknike, me sensorët, radarët dhe kamerat që janë të instaluara në automjet.
“Ne ende do të bëjmë ndalime, mirëpo do të vijë një moment kur databazat tona të konektohen me automjetet dhe nuk do të ketë nevojë të ndalojmë fare. Por kundërvajtja, përkatësisht gjoba, do të shqiptohet në mënyrë elektronike. Do të printohet dhe më vonë do të dërgohet me postë të individi që e ka shkaktuar kundërvajtjen”, ka sqaruar Mehmeti.
Jeton Rexhepi, drejtor i Divizionit për Komunikacionin Rrugor në kuadër të Policisë, ka thënë se ka plane për shtimin e numri i këtyre pajisjeve në të ardhmen. Zyrtarët nga policia megjithatë, nuk kanë treguar rreth kostos për pajisjet në posedim.
“Kanë kushtuar mjaft. Janë pajisje goxha të shtrenjta, mirëpo jeta e njeriut kushton më shumë se çdo gjë. Çdo gjë që blihet me para dhe e shpëton jetën e njeriut nuk është shtrenjtë. Nëse arrijnë të shpëtojnë jetë njerëzish, këto shpaguhen jashtëzakonisht shumë”, ka thënë Mehmeti, teksa ka apeluar te qytetarët që të kenë kujdes në komunikacion.
Edhe
Gjoba e konfiskim të patentë shoferëve përmes kamerave të sigurisë
Nga policia është bërë e ditur se gjatë ditëve të para të fillimit të zbatimit të projektit do të ketë tolerime ndaj kundërvajtësve. Tolerimet është njoftuar se do të bëhen deri në lidhjen e plotë të teknologjisë me bazën e të dhënave të Policisë.
Pajisjet e sofistikuara që do të jenë në përdorim të Policisë së shpejti nuk lejojnë që gjobat të kthehen prapa. Me anë të tyre, në vendet e rajonit deri më tani janë identifikuar deri në 8 mijë kundërvajtje brenda një dite.