Dy institucione financiare paralele në Leposaviq janë bastisur të enjten. Sipas Policisë, bastisja është kryer pas dyshimeve për shpëlarje të parave. E në Mitrovicë të Veriut, Policisë i doli punë me disa serbë, të cilët kundërshtuan vizitën e një zyrtari qeveritar
Dy institucione të tjera paralele të Serbisë ishin cak i autoriteteve shtetërore të Kosovës të enjten.
Policia e Kosovës ka bastisur Bankën Popullore të Serbisë dhe degën e Drejtorisë së Thesarit të Serbisë në Leposaviq.
Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se aksioni është zhvilluar me urdhër të gjykatës në Mitrovicë të Veriut.
Sipas tij, dyshohet për pastrim të parave dhe se nuk ka të arrestuar.
“Me urdhër të Gjykatës në Mitrovicë të Veriut është kryer bastisje në lokalet e Bankës Popullore të Serbisë dhe në Drejtorinë e Thesarit të Ministrisë së Financave të Serbisë në Leposaviq. Po ndërmerren veprime të lidhura me dyshimet për pastrim të parave, vazhdimësi e rastit të shpëlarjes së parave që ka pasur të bëjë me bankat më herët”, ka thënë Elshani.
Ndërkohë, në Mitrovicë të Veriut kanë vazhduar kundërshtitë e serbëve ndaj pranisë së zyrtarëve të Kosovës.
Siç është vepruar ditë më parë me vizitën e kryeministrit Albin Kurti, të enjten është fishkëllyer edhe kundër zv.ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri.
Zv.ministri Vokrri ka tentuar të komunikojë me protestuesit, por ata nuk kanë ndaluar së fishkëllyeri. Sipas tij, institucionet në veri janë për t’i ndihmuar qytetarët, për t’i parë nevojat e tyre e për t’u ofruar shërbime në bazë të kërkesave që kanë.
“Kam ardhur t’i shoh qytetarët. Disa nuk janë më të lumturit për këtë. Ne jemi këtu për të ndihmuar, për të zgjeruar shërbimet për qytetarët, për të parë se cilat janë nevojat e tyre dhe për t'i plotësuar ato”, ka thënë Vokrri.
Për fishkëllim ndaj vizitës së kryeministrit Kurti, dy ditë më parë për disa orë u ndaluan nga Policia dy persona.