Reagime në Maqedoninë e Veriut e Serbi ka nxitur vizita e kryeministrit Albin Kurti i cili në komunat shqiptare takoi disa prej partive opozitare shqiptare. Presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, ka dënuar inaugurimin e rrugës “Adem Demaçi” në Çair si dhe paraqitjen e flamurit “Autochtnous”. I drejtpërdrejtë në akuza ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e akuzoi Kurtin për destabilizim të rajonit dhe përpjekje drejt siç ka thënë ai, promovimit të “Shqipërisë së Madhe”.
Thirrje për punë drejt lidhjes së Prizrenit e Tetovës me autostradë e largim nga Serbia të Maqedonisë së Veriut bëri kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Tetovë e Shkup të shtunën.
Kryeministri Kurti nuk u takua me liderët shtetërorë, por mori pjesë në përurimin e rrugës “Adem Demaçi” në Çair.
Ndërrimi i emrit të rrugës nga “Brigada e Dytë Maqedone” në “Adem Demaçi” në Komunën e Çairit si dhe përdorimi i flamujve me hartën e Shqipërisë si ai i njohur si t “Autochtonus” e kanë nevrikosur presidentin maqedonas Stevo Pendarovski.
Ai ka bërë thirrje që organizatorët e tubimeve në Tetovë e Çair të sanksionohen ligjërisht.
“Theksimi i ikonografisë nacionaliste që promovon idetë shtet-mëdha paraqet ndezje të urrejtjes e jo-tolerancës ndëretike, që sulmon si parimet bazë dhe vlerat e Kornizës së Marrëveshjes, ashtu edhe konceptin e Maqedonisë si shtet multi-etnik. Organizatorët e tubimeve publike në Tetovë e Çair duhet të sanksionohen ligjërisht për shkelje të ligjit lidhur me përdorimin e flamurit e himnit dhe flamujve e simboleve të komuniteteve, pasi injoruan në tërësi simbolet e shtetit. Në këtë drejtim u bëj thirrje autoriteteve të përfundojnë procedurat sa më shpejt.
Mënyra e realizimit të idesë së riemërimit të rrugës në Komunën e Çairit bie ndesh me parimin e debatit demokratik dhe respektimit të trashëgimisë kulturore të të gjitha komuniteteve brenda shtetit. Në këtë kuptim, pres që shërbimet e inspektoratit të kontrollojnë nëse po zbatohet parimi i shumicës së dyfishtë me rastin e marrjes së vendimit, që implikon edhe votat e komuniteteve jo-shumicë të asaj komune”, ka thënë Pendarovski.
Lidhur me vizitën e kryeministrit në Maqedoninë e Veriut, ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili e akuzoi Kosovën për destabilizim të rajonit.
“Ajo që ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut me vizitën e Kurtit në Tetovë është skandal i skandaleve. Aty është promovuar ideja e “Shqipërisë së madhe”, ka pasur simbole të “Shqipërisë së Madhe”. Ai u paraqit si kryeministër i të gjithë shqiptarëve dhe kryeministër i Tetovës, mes tjerash, e inauguroi rrugën në mes të ‘Brigadës Maqedone’, rrugën Adem Demaçi… Ai ishte mentor dhe idol i Albin Kurtit… Nëse s’do të ishim të fuqishëm ushtarakisht, e shumë më të fuqishëm për kah teknologjia, armët e shumëçka tjetër, a e dini se sa herë do ta sulmonte Kurti çdo pjesë të Serbisë. Shihja ideologjinë...Nuk do ta sulmonte vetëm Serbinë Qendrore, por edhe Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe pyetja do të ishte edhe çfarë do të ndodhte me Shqipërinë”, ka thënë Vuçiq.
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, i ka reaguar presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, për rrugën “Adem Demaçi” në Shkup, duke thënë se emërtimi i kësaj rruge i përmbush të gjitha rregullat ligjore dhe është vendosur me shumicë votash në Kuvendin Komunal të Çairit.
Ai thotë se emri i ri i kësaj rruge tashmë figuron edhe në gazetën zyrtare.
Sipas Ganiut, deklarata e presidentit Pendarovski është e pakuptimtë dhe e pabazë.
Gjatë qëndrimit të tij në Maqedoninë e Veriut, kryeministri Kurti realizoi takime me disa përfaqësues të partive shqiptare opozitare derisa nuk takoi përfaqësues shtetërorë e as të Bashkimit Demokratik për Integrim që është pjesë e Qeverisë së Dimitar Kovaçevskit.
Maqedonisë së Veriut i është kushtëzuar vazhdimi i integrimit evropian me përfshirjen e bullgarëve në preambulën e kushtetuese. Aktualisht, opozita po kërkon zgjedhje të parakohshme, me arsyetimin se pushteti nuk i ka votat për ndryshime kushtetuese që ia hapin rrugën Maqedonisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.