Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

PDK-ja kërkon që të enjten të vazhdojë seanca konstituive

PDK - Kuvend - Protesta

Partia Demokratike përmes një ftese drejtuar kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit Avni Dehari, ka kërkuar që vazhdimi i saj të thirret më 20 gusht në ora 11.00. E në aksionin e deputetëve të këtij subjekti politik, i realizuar para ndërtesës së Qeverisë, kanë marrë pjesë edhe disa prodhues vendorë të cilët kanë thënë se ngërçi politik po i dëmton edhe ata

Rezana Bozhlani            

Partia Demokratike i ka kërkuar kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, që ta thërrasë për të enjten vazhdimin e seancës. Atij i është dërguar përmes një letre, në të cilën theksohet se vazhdimi duhet të nisë nga ora 11.00, e datës 20 gusht.

“Moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit të përcaktuar tashmë ka krijuar një situatë të rëndë të shkeljes së Kushtetutës dhe të mosrespektimit të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i afateve dhe procedurave të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit vetëm sa e thellon më tej këtë situatë”, thuhet në letrën e dorëzuar nga deputetët e PDK-së.

Të njëjtët thirrje kanë bërë edhe më përpara, por Dehari është përcaktuar të mos e thërrasë vazhdimin e seancës, pa marrëveshje paraprake për presidentin, mes subjekteve politike.

E, deputetë të PDK-së edhe këtë të mërkurë kanë vazhduar aksionin e tyre për ta penguar futjen e kryeministrit në detyrë Albin Kurti në objektin e Qeverisë.

Edhe Hapet rrugë për kthimin e transportuesve urbanë në Prishtinë LAJMET E MBRËMJES Hapet rrugë për kthimin e transportuesve urbanë në Prishtinë

Por për dallim nga ditët e kaluar aksionit të tyre i janë bashkuar edhe prodhues vendorë, të cilët kanë bllokuar njërën nga hyrjen e objektit.

Me këto aksione ata kërkojnë që sa më parë të thirret vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit. 

E në emër te prodhuesve ka folur Abedin Ramadani i cili tha se moskonstitumi i Kuvendit i dëmton prodhuesit vendorë.

“Kemi edhe një problem politik që po na dëmton shumë, mbyllja e Kuvendit. Kur Kuvendi dhe vendi mbahet e mbeten në bllokadë askush nuk merret seriozisht me hallet tona, nuk ka debat për subvencionet, dhe për mbrojtën e prodhimit vendor apo për politikat që na duhen për të mbijetuar”, ka thënë ai. 

Sipas Ramadanit nëse kjo gjendja politike vazhdon të mbetet e njëjtë, atëherë rrezikohet prodhuesi vendor.

“Ne nuk kërkojmë privilegj, kërkojmë që shteti të jetë partner i prodhuesve të vendit, jo pengesë. Prandaj mesazhi im është: Zotëri Kurti, konstituoje Kuvendin, lejoi deputetët të hyjnë në sallë dhe të flasin për problem reale me të cilat qytetarët dhe fermerët përballen, bizneset. Ju lutem, situata është e jashtëzakonshme, përndryshe nëse kjo gjendje vazhdon, për shumë prodhues vendorë falimentimi po bëhet real”, ka thënë ai.

E deputetja Vlora Çitaku, e cila është edhe sekretare e PDK-së, ka thënë se Kuvendi nuk është i deputetëve, por i qytetarëve.

Edhe Dështon sërish konstituimi i Kuvendit, Rashiqin nuk e votojnë ish-partitë opozitare LAJMET E MBRËMJES Dështon sërish konstituimi i Kuvendit, Rashiqin nuk e votojnë ish-partitë opozitare

“I mjekëve dhe infermierëve. I fermerëve e prodhuesve. I mësuesve, policëve, ushtarëve, studentëve. I secilit qytetar të Republikës. Kuvendi është vendi ku ne, si të zgjedhur të popullit, duhet të flasim për hallet dhe brengat e tyre, për problemet me të cilat përballen çdo ditë, por edhe për zgjidhjet që presin nga ne”, ka thënë ajo, pas aksionit te ndërtesa e Qeverisë. “Sot na u bashkua një grup prodhuesish nga Kosova. Njerëz që punojnë, prodhojnë, krijojnë vende pune dhe mbajnë gjallë ekonominë tonë. Ata ndanë me ne sfidat e shumta me të cilat përballen dhe kërkesat e tyre të drejta”.

Aksione të ngjashme, PDK-ja ka realizuar prej ditësh para ndërtesës së Qeverisë.