Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur politik vendimin e Gjykatës Supreme për kthimin e faturimit të energjisë elektrike me tarifat e reja, pas pezullimit të tyre nga dy shkallë të gjykatave, Themelorja dhe Apeli. Sipas PDK-së, vendimi i Supremes është në dëm të interesit publik. Kjo parti ka paralajmëruar se atë do ta dërgojnë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
Vendimin e së enjtes të Gjykatës Supreme, që anulon vendimet e Themelores dhe të Apelit për pezullim të shtrenjtimit të energjisë, Partia Demokratike e Kosovës e ka quajtur të ndikuar politikisht.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i partisë, Faton Abdullahu, përveçqë vlerësoi se vendimi është në dëm të qytetarëve, hodhi edhe akuza në drejtim të gjykatësve të Supremes.
“Ne e kundërshtojmë ashpër këtë vendim të Gjykatës Supreme, duke e konsideruar atë si vendim të ndikuar politikisht nga Qeveria aktuale. Gjykata Supreme duket se ka qenë e prirë nga interesa të tjera klanore, karrieriste dhe posaçërisht politike”, ka thënë Abdullahu.
Vendimin e ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë, PDK-ja e pati dërguar në Gjykatën Themelore, e cila e kishte pezulluar përkohësisht.
Më pas ZRRE-ja kishte bërë ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë në Gjykatë të Apelit, porse kjo e fundit e kishte vërtetuar si të bazuar vendimin e Themelores.
Rasti ka shkuar në Supreme, e cila të enjten i prishi vendimet e shkallës së parë dhe të dytë.
Por edhe për këtë vendim të Supremes, interpretim do të kërkohet në një instancë më të lartë.
“Tashmë, i autorizuar nga PDK-ja, unë kam filluar procesin e shqyrtimit të këtij vendimi dhe të njëjtin do ta dërgoj në Gjykatën Kushtetuese brenda dy javëve të ardhshme”, është shprehur përfaqësuesi ligjor i PDK-së, Faton Fetahu.
Në shkurt të këtij viti, ZRRE-ja ka marrë vendim që të nisë faturimin e energjisë me tarifa më të larta për konsumatorët, që shpenzojnë mbi 800 kilovatë.
Në një njoftim të lëshuar të premten, Rregullatori tha se tarifat e reja po garantojnë qëndrueshmëri në sistemin energjetik.