Serbët e Kurshumlisë së Serbisë, për më shumë se një orë, kanë bllokuar rrugën në fshatin Rudar. Veprimi i tyre u bë në shenjë pakënaqësie për, siç thanë, situatën e serbëve në Kosovë. Protestuesit paralajmëruan që bllokimin e rrugës do ta bëjnë çdo të hënë, derisa të mos përmirësohet situata e bashkëkombësve të tyre. Paralajmëruan se do të bllokojnë rrugët edhe pranë pikëkalimeve të tjera kufitare.
Një kamion mallrash i vendosur në mes të rrugës për një orë ka bllokuar qarkullimin e automjeteve në fshatin Rudar të Kurshumlisë në Serbi.
Fshati Rudar ndodhet disa kilometra larg pikëkalimit kufitar në Merdar, që lidh Kosovën me Serbinë.
Bllokimi i rrugës në Rudar të Serbisë është organizuar nga Shoqata e serbëve të zhvendosur nga Kosova në shenjë pakënaqësie për situatën e serbëve në Kosovë.
Herë pas here nga organizatorët e protestës lejohej qarkullimi i disa veturave të caktuara, derisa në të dyja anët e fshatit u krijuan kolona automjetesh.
Iniciuesi i protestës, Obren Andjelkoviq, paralajmëroi se bllokada të tilla do të ketë çdo të hënë, deri, siç tha, në përmirësimin e situatës së serbëve në Kosovë.
"Politika që po e zhvillon Kurti, ish-i burgosur në Nish, më së shumti do t'i bëjë dëm popullit të ndershëm, pa marrë parasysh etninë. Bllokimi i rrugëve do të bëhet çdo të hënë, për tri orë dhe deri në ndaljen e terrorit të përditshëm ndaj popullit tonë në Kosovë”, tha ai.
Ai tha se është nga Podujeva, derisa tregoi për kohën kur është zhvendosur në Serbi e për marrëdhëniet e mira me fqinjët shqiptarë në Kosovë.
“Unë kam menduar që dal dy orë prej Podujevës e kthehem prapë, por shkuan 25 vjet……”, shtoi ai.
Situata vëzhgohej nga policët serbë, derisa protestuesit nuk ishin të shumtë në numër.
Disa nga pjesëmarrësit në protestë u shprehën të shqetësuar, me, siç thanë, situatën e serbëve në Kosovë.
"Nëse nuk do të ketë mirëkuptim, do të ketë bllokim total, jo vetëm këtu në Merdar, por edhe poshtë në Preshevë dhe në Rashkë. Populli këtu është i vendosur që t’i mbrojë njerëzit tanë në Kosovë, të cilët kanë probleme të ndryshme. Keni parë arrestime, mësymje në institucione. Këtu pëson populli i pafajshëm pa asnjë nevojë", tha qytetari nga Kurshumlia, Dejan Markoviq.
"Nëse kjo do të vazhdojë, ne do të bllokojmë rajonin e Rashkës, do të bllokojmë Preshevën, do të bllokojmë me intensitet më të lartë këtë pjesë. Pasi nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë në tokën tonë të shenjtë, në Kosovë dhe Metohi", theksoi një tjetër.
Ndonëse ishte paralajmëruar se rruga do të ishte e bllokuar për tri orë, ajo u hap për qarkullim rreth një orë pasi filloi protesta.