Rol më proaktiv nga institucionet në parandalimin, hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin më efektiv, veçanërisht të veprave penale kundër integritetit seksual, ka kërkuar të hënën presidentja Vjosa Osmani në hapjen e “Javës së viktimave të krimit”. Ajo me këtë rast e ka vlerësuar të nevojshëm vettingun në sistemin e drejtësisë dhe ka bërë thirrje që pjesë e tij të bëhen edhe institucionet e drejtësisë
Kritika ndaj institucioneve të drejtësisë për dështim në trajtimin e rasteve të dhunës seksuale ka adresuar të hënën presidentja Vjosa Osmani, në hapjen e “Javës së viktimave të krimit”.
Ajo me këtë rast e ka vlerësuar si të munguar në shumë raste reagimin për mbrojtjen e viktimave të dhunimit dhe e ka theksuar nevojën për luftim efikas dhe të pakompromis të krimeve të këtilla.
“Gjatë muajve të kaluar vendi ynë është tronditur nga shumë histori shokuese të dhunimeve e ngacmimeve seksuale, viktimë e të cilave, në disa raste, ishin edhe të miturat. Ndonëse vetë fakti se kanë ndodhur këto krime është mjaftueshëm i rëndë për ta alarmuar secilin prej nesh, ajo që e bëri situatën edhe më të rëndë ishte mungesa e reagimit efektiv të institucioneve në adresim të këtyre veprave penale”, është shprehur Osmani.
Për këtë arsye ajo ka bërë thirrje për një rol më proaktivë të institucioneve në parandalimin, hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin më efektiv të veprave penale kundër integritetit personal.
“Në takimet me krerët e institucioneve të drejtësisë kam adresuar çështjen e dështimeve dhe defekteve sistemike që janë vënë në pah nga analiza dhe vlerësime që janë bërë për vite me radhë”, ka theksuar Osmani, teksa ka numëruar raste në të cilat është vërejtur dështimi i institucioneve të drejtësisë. “Më e pakta që mund të bëjnë institucionet tona është që të veprojnë në mbrojtje të viktimës, në mënyrën sa më efikase e efektive. Dhe në raste të shumta, veçanërisht në rastin e fundit të vajzës 11-vjeçare, është parë se ky reagim i duhur në mbrojtje të viktimës ka munguar. Përveç kësaj, ka pasur raste të tjera paraprake kur është vënë re vonesë e skajshme në mes të kallëzimit penal dhe ngritjes së aktakuzës. Po kaq tronditëse janë dënimet e ulëta dhe nën minimumin e paraparë me ligj ku ato janë shqiptuar nga gjykata”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja ka theksuar edhe rëndësinë e zbatimit të vettingut, duke shtuar se në këtë proces duhet të marrin pjesë të gjithë akterët relevantë, përfshirë edhe institucionet e drejtësisë.
“Dua të përmend edhe një proces të rëndësishëm, vettingun në sistemin e drejtësisë. Konsideroj që është tejet e rëndësishme që të gjithë akterët relevantë të japin kontributin e tyre për një proces sa më të mirëfilltë. Vetëm kur i bashkojmë forcat tona, vetëm kur edhe institucionet e drejtësisë japin kontribut substancial në këtë proces, mund të presim sukses për vendin tonë, për qytetarët tanë”, ka theksuar presidentja.
Vettingu, sipas Osmanit, do të kthente besimin e qytetarëve në drejtësi.
“Duhet të kemi parasysh se sidomos pas dritës së gjelbër nga Komisioni i Venecias, ky është një ndër proceset më të rëndësishme në rrugën e ndërtimit të një sistemi të drejtësisë, i cili punon me integritet dhe profesionalizëm e mbi të gjitha kthen besimin e qytetarëve në drejtësi”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të bëhen pjesë e procesit.
“Publikisht ju ftoj që të jeni pjesë e zhvillimit dhe ndërtimit të drejtë, apolitik e komplet profesional, bazuar në integritet të këtij procesi, nëpërmjet pjesëmarrjes suaj aktive në grupet punuese, duke paraqitur sugjerime dhe kontribut konkret”, ka thënë ajo.
E Besim Kelmendi, ushtrues i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, ka theksuar se nuk mund të kenë qetësi dhe bazë për kënaqësi pa pasur trajtim të duhur për viktimat.
“Jam optimist që angazhimi i prokurorit të shtetit, i mbrojtësve e viktimave dhe të gjitha institucioneve dhe mekanizmat e tjerë relevantë, që në çfarëdo mënyre kanë detyrime ligjore për të mbështetur viktimat e krimit, nuk do të mungojë, sepse viktimat e krimit, të mbijetuarit e krimit, mbajnë sytë nga ne, në veçanti nga sistemi i drejtësisë, i cili duhet t’i sigurojë qytetarët që kryerësit e krimit do të ndëshkohen, ndërsa viktimat e krimit do të rehabilitohen”, ka thënë Kelmendi.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffery Hovenier, ka shprehur optimizmin se “Java e viktimave të krimit”, e cila mbahet për herë të 13-të, të shërbejë si një thirrje për veprim drejt garantimit të mbrojtjes për viktimat.
“Shpresojmë që kjo javë, jo vetëm ta rrisë ndërgjegjësimin, por edhe që të jetë një thirrje për veprim. Dëshirojmë që ta shfrytëzojmë këtë javë për të reflektuar mbi përpjekjet tona, por edhe që të ndërmarrim veprime që të gjitha viktimat të kenë shërbimet e duhura dhe drejtësi”, ka thënë Hovenier.
Bazuar në statistikat nga Prokuroria e Shtetit, vetëm gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2022, Zyra për Mbrojtjen dhe Ndihmën e Viktimave, e cila vepron në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka ofruar ndihmë për 2163 viktima.