LAJMET E MBRËMJES

Osmani: Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë

Presidentja Vjosa Osmani ka raportuar të enjten para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Në fjalimin e gjatë, Osmani e kualifikon si të përmbyllur njëherë e përgjithmonë idenë e ndryshimit të kufijve. Ndërkaq për veriun është zotuar për sundim të plotë të ligjit që do t’i shuante pretendimet territoriale mbi Kosovën të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Të përmbyllur njëherë e përgjithmonë e ka kualifikuar idenë e ndryshimit të kufijve të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, që të enjten raportoi para deputetëve të Kuvendit.

Në fjalimin e gjatë para deputetëve, Osmani ka vlerësuar se politika e jashtme e Kosovës është në funksionim të plotë të prosperitetit të rajonit, në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar.

“Kosova nuk ka lobim për ndryshim kufijsh, nuk ka pagesa lobistësh për të shtyrë përpara agjenda puro individuale, nuk ka intervista të paguara për të promovuar liderë të caktuar, nuk ka flirtime me Serbinë e Rusinë me qëllim të interesave personale. Nuk ka udhëheqës që Kosovën e krahasojnë me Nagorno-Karabakun, me Abhazinë e me Krimenë. Koha e tregtarëve të kufijve ka perënduar njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Osmani.

Ajo, përkitazi me paralajmërimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ta kërkuar kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë kundruall situatës së fundit në veri, ka theksuar se një skenar i këtillë ka marrë fund qysh më 12 qershor të vitit 1999.

“Bandave kriminale nuk iu pëlqen vendosmëria e institucioneve e as zbatimi i ligjit, por as lufta ndaj krimit e korrupsionit. Por le ta kenë të qartë që kjo është rrugë nga e cila nuk devijojmë. Jemi dëshmitarë të kërcënimit të vazhdueshëm të Serbisë, por Serbia dhe udhëheqësi i saj e dinë mirë se prezenca e ushtrisë serbe në Kosovë ka marrë fund njëherë e përgjithmonë më 12 qershor 1999”, ka thënë ajo.

Raportimi i presidentes para Kuvendit është bojkotuar nga deputetë të Partisë Demokratike dhe atyre të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Në adresimin para deputetëve, presidentja Osmani ka bërë të ditur se dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke, teksa ka lavdëruar Qeverinë për mënyrën e menaxhimit të krizave e situatave të ndryshme.