Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Bashkimit Evropian që t’i japë fund taktikës destruktive të Serbisë në dialogun me Kosovën.
Nga vizita zyrtare në Bullgari, ku është pritur nga homologu i saj, Rumen Radev, Osmani ka theksuar se qëllimi i Serbisë është që nëpërmjet kushtëzimeve t’i zgjasë përjetësisht negociatat e lehtësuara nga Brukseli.
“Është koha që lehtësuesit e dialogut, në këtë rast Bashkimi Evropian, ta kuptojnë se Serbia ka përdorur taktikën e pengimit nëpërmes pjesëmarrjes. Ata në tryezën e takimeve vijnë për të krijuar kushtëzime, pengesa, nëpërmjet së cilave mund ta zgjasin procesin e dialogut përjetësisht. Sepse kjo është mënyra të cilën e dëshirojnë, ta bllokojnë perspektivën e Kosovës në rajon dhe në arenën ndërkombëtare. Natyrisht që është në interesin tonë që ta përmbyllim këtë dialog me një marrëveshje ligjërisht të zbatueshme”, ka thënë Osmani.
Ajo ka theksuar po ashtu se tensionet në veri janë provokuar nga fqinji verior.
“Kur në gusht BE-ja e dorëzoi një kornizë dhe në shtator e kishim një propozim franko-gjerman, Serbia ka krijuar krizë dhe ka provokuar tensione në mënyrë që të mos të bëhet fjalë për marrëveshjen e përhershme. Interesi i Kosovës është që të sigurohemi që diskutimet të fillojnë sa më parë që është e mundur. Shpresoj se Bashkimi Evropian do të jetë i qartë në mesazhet që do t’ia dërgojë Serbisë, se nuk mund dhe nuk guxojnë të bllokojnë dialogun”, është shprehur Osmani.
E presidenti bullgar Radev ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshje përfundimtare dhe ligjërisht të zbatueshme. Ai ka ofruar po ashtu mbështetje për perspektivën evropiane të Kosovës dhe në nismën për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Bullgaria e mbështet plotësisht perspektivën e Kosovës në BE. Bullgaria ka qenë gjithmonë njëra prej mbështetësve më të mëdhenj të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe motori shtytës i Ballkanit Perëndimor në këtë rrugëtim, e cila ka nisur në Kosovë më 2008, kur Bullgaria ka qenë një nga shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës. Sot vazhdojmë që ta mbrojmë perspektivën e integrimit evropian dhe të mbrojmë aspektet e sigurisë, si dhe ta mbështesim Kosovën edhe në Këshillin Evropian”, ka deklaruar Radev.
Presidentja Osmani ka folur në Sofje edhe për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik midis dy shteteve, teksa ka përmendur se aktualisht janë rreth 100 investitorë bullgarë në Kosovë.