Florinda Abazi
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se barazia gjinore në institucione ofron më shumë transparencë dhe gjithëpërfshirje.
Në tryezën e zhvilluar të martën, nën organizimin e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) në kuadër të ditës së dytë të “Javës Kundër Korrupsionit”, Osmani ka theksuar se sa më shumë që ka barazi gjinore, aq më efektive është lufta kundër korrupsionit.
“Barazia gjinore në çdo institucion ka rezultuar me rritje të transparencës, me rritje të besimit qytetar në ato institucione, me rritje të kualitetit të punës dhe me gjithëpërfshirje, e cila është një prej parimeve bazike të arritjes së sukseseve”, ka thënë Osmani.
Në këtë tryezë është publikuar edhe raporti me titull: “Dimensioni gjinor i korrupsionit”. Tek e ka prezantuar raportin, hulumtuesja e lartë e IKD-së, Arrita Rezniqi, ka thënë se dokumenti e bën për herë të parë një ndërlidhje të drejtpërdrejtë mes udhëheqjes së grave dhe reduktimit të korrupsionit.
“Sa më shumë gra që ka në pushtet, aq më pak ka korrupsion. Dhe kjo ka bërë realisht që integrimi i perspektivës gjinore të diskutohet çdoherë e më tepër si mjet për të luftuar korrupsionin në tërësi. Kështu që, në përgjithësi është një qasje që shoqëritë sa më shumë që kanë barazi gjinore, kanë institucione më të forta, kanë qeverisje më të mirë dhe në të njëjtën kohë kanë më pak tolerancë ndaj praktikave korruptive”, ka thënë ajo.
Në kuadër të Javës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, në konferencën e organizuar nga IKD-ja janë zhvilluar dy panele me temat: “Ku mbeti Ligji për Lobim” dhe “Financat politike dhe trendët e fushatave online në Kosovë”.
Në panelin e parë përfaqësues nga subjektet politike kanë diskutuar mbi nevojën për Ligjin për Lobim, vullnetin e subjekteve politike për një ligj të tillë, si dhe për transparencën në financimin e partive politike.