Organizatorët e platformës “Liria ka emër”, në një konferencë për media të hënën, falënderuan të gjithë pjesëmarrësit që marshuan të dielën në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së, gjykimi i të cilëve ka nisur sot në Hagë. Sipas organizatorëve, Kosova u bashkua për të mbrojtur historinë e saj
Në ditën e nisjes së gjykimit të ish-drejtuesve të UÇK-së, organizatorët e marshit për drejtësi, i mbajtur të dielën, falënderuan qytetarët për pjesëmarrje dhe vlerësuan se Kosova u bashkua për të mbrojtur historinë e saj.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, njëherësh ideatore e platformës “Liria ka emër”, tha se marshi në Prishtinë në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit ishte për t’u admiruar.
“Dje ishte një ditë madhështore, prandaj përulësisht faleminderit për të gjithë ju që i dhatë kuptim dhe ngjyrim kësaj dite”, tha Hoxha.
Ideatori tjetër i kësaj platforme, Ismail Tasholli, tha se ky nuk ishte një marsh i rëndomtë.
“Ky ishte marshi ynë i dinjitetit qytetar që di t’i peshojë vlerat themeltare të saj e Kosova më shumë se kurrë ka nevojë të jetë bashkë sot”, tha Tasholli.
Të dielën, në sheshet e Prishtinës morën pjesë mijëra qytetarë nga e gjithë Kosova, ku u kërkua drejtësi për të akuzuarit e Gjykatës Speciale, gjykimi i të cilëve ka nisur sot në Hagë.
Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Specialja.