LAJMET E MBRËMJES

Opozita mbledh nënshkrimet për hetimin rreth menaxhimit të krizës energjetike e punësimet në KEK

Dy seanca do të mbahen të enjten - në njërën Kuvendi do t’i trajtojë pikat e papërfunduara të seancave të kaluara, ndërsa në tjetrën, përveç dy debateve parlamentare të kërkuara nga opozita për sigurinë në vend dhe punën njëvjeçare të Qeverisë, do të votohet edhe përbërja e Komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike dhe punësimet në KEK

Përpjekja e para dy jave e opozitës për themelimin e një Komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike, do të jetësohet. Partitë opozitare i kanë mbledhur 40 nënshkrimet me të cilat automatikisht do ta themelojnë Komisionin hetimor, të cilit si objekt hetimi do t’i shtohen edhe pretendimet e opozitës për abuzimet që kanë ndodhur me punësimet e fundit në KEK. Përbërja e tij pritet të votohet në njërën prej dy seancave të Kuvendit, që nga Kryesia u vendos që të mbahen të enjten e ardhshme.

Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se pas raportimeve të shumta në media dhe shqetësimeve të ngritura nga opozita për mundësinë e keqpërdorimit të konkursit të fundit në KEK nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë vendosur që edhe këtë çështje t’ia shtojnë Komisionit hetimor për trajtim.

“Shumica ka hezituar dhe ka kundërshtuar formimin e një komisioni të tillë parlamentar. Ne nuk po nisemi me kurrfarë paragjykimi, është shumë e rëndësishme që të zbardhen të gjitha pretendimet që janë ngritur gjatë këtyre periudhave, për abuzimin, keqpërdorimin e parasë publike, qoftë me blerjen e energjisë elektrike, qoftë me prodhimin e energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Për hetimin e punësimeve në KEK, ashtu si për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria, janë pajtuar edhe partitë e tjera opozitare. Shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka theksuar se është e rëndësishme zbardhja e të dyja këtyre rasteve.

“Si opozitë ne i kemi mbledhur nënshkrimet dhe do të vendosim në seancën e së enjtes si temë themelimin e këtij komisioni. Është me rëndësi që trajtimi i çështjes së energjisë, trajtimi i çështjeve që tani po vijnë, edhe këto të punësimeve në KEK të trajtohen nga ky komision hetimor dhe të dalë e vërteta në shesh, cilado që të jetë ajo”.

Para rreth dy javëve në seancë ka dështuar të bëhet themelimi i këtij komisioni, meqë opozita nuk i pati votat e mjaftueshme, ndërsa kundër tij votoi partia në pushtet. Sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, partia e tij nuk është kundër komisionit, porse ai nuk ka substancë për trajtim.

“Ne nuk kemi asgjë kundër këtij komisioni, madje edhe në seancën e kaluar kemi qenë të gatshëm, ç’është e vërteta edhe për ta themeluar, por pastaj diskutimi kishte devijuar nga vetë opozita duke prishur konsensusin e arritur paraprakisht për këtë komision. Sikurse që, natyrisht, në përmbajtje ne e konsiderojmë që ky komision nuk ka substancë, nuk ka objekt dhe i pabazuar në kërkesë”, ka deklaruar ai.

Në seancën e re të së enjtes do të ketë debat parlamentar në lidhje me njëvjetorin e udhëheqjes së Qeverisë Kurti, i thirrur nga PDK-ja. Tahiri tha se ky debat ka qenë i nevojshëm meqë konsideron se mungon transparenca e Qeverisë Kurti, pasi ekzekutivi nuk ka sjellë në Kuvend raport të punës njëvjeçare për këtë periudhë qeverisëse. Tahiri thotë se është i rëndësishëm debati për analizimin e punës së Qeverisë, ani pse vlerëson se nuk ka pasur kurrfarë përparimesh, vetëm regres dhe dështim.

Debati është ftuar edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në lidhje me sigurinë në vend. Ndërsa në seancën tjetër të së enjtes Kuvendi do t’i trajtojë pikat e papërfunduara të seancave të kaluara, që kanë mbetur që nga 22 shkurti. Rendi i ditës i këtyre dy seancave është vendosur në mbledhjen e Kryesisë që është mbajtur të premten. Pas saj, deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, e ka komentuar shkurt edhe procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili është kritikuar nga shoqëria civile, si dhe nga ambasadat e huaja në Kosovë.

“Çfarëdo abuzimi që mund të ketë ndodh në zgjedhjen e kryeprokurorit ne absolutisht e dënojmë dhe nuk e përkrahim”, ka thënë shkurt ai.