Komisioni Parlamentar për Administratë Publike ka miratuar 10 nga 11 amendamentet e grupit punues për Projektligjin për Qeverinë. Në mbledhjen e Komisionit, ku është vendosur për këtë, deputetët opozitarë patën vërejtje për disa nga amendamentet. Mes tjerash, ata kanë kërkuar që të mos miratohet amendamenti që ua jep mundësinë zëvendësministrave edhe të votojnë e edhe ta bëjnë kuorumin në mbledhjet e Qeverisë
Projektligji për Qeverinë, i cili është duke u shqyrtuar në lexim të dytë në komisionet parlamentare, përmban një dispozitë, e cila u jep të drejtë zëvendësministrave që kur posti i ministrit mbetet i lirë për cilëndo arsye, në mbledhjet e Qeverisë të kenë të drejtë ta bëjnë kuorumin, e edhe të votojnë.
Por, kjo dispozitë ka ngjallur më së shumti kundërshti të martën në Komisionin parlamentar për Administratë Publike, ku janë shqyrtuar 11 amendamentet e grupit punues për projektligjin. Janë 10 nga këto amendamente që kanë arritur të miratoheshin në Komision.
Deputeti i Partisë Demokratike (PDK), Mërgim Lushtaku, ka kundërshtuar mundësinë e përfshirjes në votim të zëvendësministrave. Tha se edhe pse personalisht nuk ka asgjë kundër, sipas interpretimit të tij, një nen i tillë është kundërkushtetues.
Sipas Lushtakut, pushteti duhet të reflektojë karshi këtyre amendamenteve, por tha se nuk pret që normat jokushtetuese të hiqen, pasi konsideroi se Qeveria “është familjarizuar me shkeljet kushtetuese”.
“Duke u bazuar në kapitullin e gjashtë të Kushtetutës, Qeveria përbëhet nga kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat dhe rrjedhimisht kjo e ka dhënë logjikën e funksionimit të Qeverisë me këta akterë dhe nuk i ka përmendur askund zëvendësministrat, në kuptimin që nuk kanë të drejtë të votës dhe me këtë ligj fatkeqësisht prezantohet që zëvendësministri ka të drejtën e votës”, ka thënë ai.
Derisa foli për shkeljet kushtetuese të Qeverisë, deputetja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Doarsa Xhelili-Kica, ka kërkuar nga deputeti Lushtaku që të përmendë me nene konkrete se cilat janë shkeljet kushtetuese nga Qeveria aktuale.
“Derisa nuk mund të referoheni në mënyrë precize në norma kushtetuese që po shkelen, duhet të evitojmë çfarëdo referimi në shkelje të dispozitave të tilla kushtetuese. Përndryshe, kur përdorim konotacione të tilla, duhet të jemi në gjendje deri në fund ta argumentojmë, si saktësisht po shkelet një normë kushtetuese”, ka thënë Kica-Xhelili, e cila është edhe kryesuese e Komisionit për Administratë.
Në këtë komision deputetët e opozitës patën mospajtime edhe për disa propozim-ndryshime të tjera që i ka dhënë grupi punues.
Deputeti i LVV-së, Besim Muzaqi, teksa ka prezantuar amendamentet e grupit punues, ndër të tjera ka propozuar që të hiqet paragrafi 3 i nenit 24, me të cilin përcaktohet që pyetjeve, ankesave e propozimeve të palëve, Zyra e kryeministrit dhe ministritë t’u japin përgjigje brenda 30 ditësh.
Kjo sipas deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, do të minojë llogaridhënien e Qeverisë. Sipas tij, Qeveria do të jetë e papërgjegjshme nëse nuk i vendoset afat ligjor për kthim të përgjigjeve.
“Për vlerësimin tim është shumë e palogjikshme që neni 24, që në fakt e rregullon jashtëzakonisht mirë llogaridhënien e Qeverisë, të hiqet si nen. Dhe, kërkoj të mbesë këtu”, ka thënë Tahiri.
Deputeti Muzaqi arsyetoi heqjen e këtij paragrafi të nenit, duke thënë se kërkesat e ankesat ndaj Qeverisë nënkuptohet që i nënshtrohen Ligjit për Procedurën Administrative.
“Këtu do të mund t’i referohemi Ligjit për Procedurën Administrative dhe ka çështje, për të mos u keqkuptuar, të cilat nuk kanë nevojë për përgjigje. Mund të ndodhë që vijnë propozime dhe i njëjti mund ose jo të merret parasysh, por nuk ka obligim ligjor që t’i kthehet përgjigje”, ka thënë ai.
Megjithatë, me arsyetimin e deputetëve të partisë kryesore në pushtet, nuk janë pajtuar kolegët e tyre opozitarë, të cilët kanë kërkuar që domosdoshmërisht të vendoset afat kohor.
Me ndërhyrjen e kryesueses, deputetët u pajtuan që neni 24 i Projektligjit për Qeverinë të mbesë i pandryshuar. Kësisoj, përgjigjet për çështjet e parashtruara në Zyrë të kryeministrit dhe në Ministri, duhet të jepen brenda 30 ditëve pas ditës në të cilën janë pranuar.
Projektligji për Qeverinë ka kaluar në parim në Kuvendin e Kosovës dhe para se të dërgohet për miratim në lexim të dytë, do të shqyrtohet edhe nga komisionet e përhershme të Kuvendit.