LAJMET E MBRËMJES

Nga 100 euro shtesë për fëmijët e pensionistët, Kurti kritikohet nga opozita e shoqëria civile

Reagim të madh të shoqërisë civile e të opozitës ka nxitur vendimi i Qeverisë për ndarjen nga 100 euro për fëmijët e pensionistët. Ndarjen e mjeteve në ekzekutiv e prezantuan si përmbushje të premtimeve, por nga opozita është ndërlidhur me zgjedhjet e ardhshme

Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë 100 euro për fëmijët e po aq për pensionistët.

Vendimi është miratuar të mërkurën, derisa mjetet pritet të ekzekutohen së shpejti.

Kryeministri Albin Kurti tha se me këtë janë duke e përmbushur një premtim.

“Sivjet, kemi vendosur që të gjithë fëmijët pa dallim, të përfitojnë nga skema, dhe shuma e përfitimit të jetë 100 euro. Që në këtë fundvit, nuk kemi harruar as pensionistët tanë, po ashtu do të përkujdesemi me një vendim tjetër në këtë mbledhje”, ka thënë Kurti.

Për marrjen e parave, sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati, nuk do të ketë nevojë për aplikim, pasi ato do të ekzekutohen direkt në llogaritë e prindërve, ashtu siç veprohet me shtesën prej 10 eurosh në muaj.

Vitin e ardhshëm, sipas tij, lartësia e shtesave vjetore për fëmijë do të jetë e klasifikuar në bazë të të ardhurave në familje.

Por, ndaj vendimit të Qeverisë kanë reaguar nga opozita e shoqëria civile.

Ekonomisti Agron Demi ka ironizuar me vendimin e Qeverisë, teksa tha se ndarja e 100 eurove për fëmijët e pensionistët do t`i kushtojë buxhetit 58 milionë euro.

“Kësisoj buxhetin prej 3 miliardë eurosh e kishte ndarë tek 1.3 milionë banorë mbi moshën 15-vjeçare dhe secili prej nesh kishim marrë nga 200 euro në muaj. Edhe ashtu s`po ia sheh hairin askush shkollave, spitalet i kemi në Shkup, autostradat për të ikur në Evropë i kemi gati, kufijtë i ruan KFOR-i, gjykatat edhe ashtu s`po punojnë...edhe s`kemi nevojë për qeveri e parlament, por vetëm për një zyrë kontabiliteti që i rishpërndan të ardhurat”, ka shkruar Demi.

Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Arben Mustafa, vendimin e Qeverisë e ka ndërlidhur me vitin e fundit të mandatit qeverisës.

“Kjo është mënyra kryesore se si po e shpenzon buxhetin kjo qeveri! Mban qytetarët të varur nga ndihmat simbolike të kohëpaskohshme, por nuk ofron zgjidhje të qëndrueshme për asnjë kategori të qytetarëve. Ky është mentalitet i qeverisjes në varfëri”, ka deklaruar Mustafa.

E ish-kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, tash anëtar i LDK-së, e ka ndërlidhur ndarjen e mjeteve me zgjedhjet e ardhshme.

“Blerja e votës vazhdon me mjete të taksapaguesve përmes vendimeve të Qeverisë. Nuk e ka bërë asnjë investim në arsim, shëndetësi, çerdhe, rrugë, energji. Mjetet e pashpenzuara ku duhet po i shpërndan për të blerë vota”, ka thënë Rukiqi.

Në mbledhjen e Qeverisë kabineti qeveritar ka miratuar dhjetëra vendime në mesin e së cilave edhe atë për ndarjen e 40 milionë eurove shtesë për FSK-në.