LAJMET E MBRËMJES

Në seminarin e AP-së, Kosova kërkon përkrahjen për anëtarësim në NATO

Krerë të institucioneve në vend e kanë theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, për sigurimin e stabilitetit në Evropë, në ditën e parë të edicionit të sivjetmë të seminarit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Në këtë seminar, që do të zgjasë tre ditë, kanë folur edhe përfaqësues të misionit të KFOR-it

Paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor nuk duhet të merren të mirëqena, ka paralajmëruar presidentja Vjosa Osmani.

Në seminarin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ajo e ka potencuar rëndësinë që do ta kishte anëtarësimi i Kosovës në programin “Partneritetin për Paqe” të kësaj aleance ushtarake.

Tek ka folur për sigurinë, kryetarja e shtetit i është referuar edhe pranisë së KFOR-it në Kosovë.

“Prania e NATO-s, e misionit të KFOR-it, është e domosdoshme dhe do të vazhdojë të jetë e tillë dhe do të jetë jashtëzakonisht e mirëpritur dhe gjithsesi e nevojshme derisa kur të paktën Kosova të anëtarësohet në NATO dhe të bëhet anëtare e plotë e saj”, ka thënë Osmani.

Kritika ajo ka pasur për BE-në, përkitazi me vizat.

“Mungesa e liberalizimit të vizave nuk është vetëm gabim, por një prej padrejtësive më të mëdha në historinë e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar presidentja Osmani.

E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka premtuar se do t’i kryejnë të gjitha detyrat që u kërkohen për anëtarësim në NATO.

“Kosova do t’i kryejë të gjitha reformat e nevojshme që një ditë të bëhet anëtare e NATO-s. Së bashku do ta kthejmë edhe FSK-në në një ushtri bashkëkohore dhe të integruar plotësisht në NATO, aleancën më të fuqishme të shteteve demokratike”, ka thënë Konjufca.

Një ndër çështjet që është duke e penguar integrimin e Ballkanit Perëndimor, sipas presidentit të Asamblesë së NATO-s, janë mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi.

“Siguria jonë është e ndërlidhur ngushtë mu për këtë, Ballkani Perëndimor dhe shtetet euroatlantike duhet të punojnë bashkë për t’i tejkaluar sfidat e rajonit dhe të pengojnë destabilizmin nga fuqitë jodemokratike siç janë Rusia dhe Kina”, ka thënë Gerald E. Connolly.

Në anën tjetër, zyrtarë të misionit të KFOR-it në Kosovë, situatën e sigurisë e kanë vlerësuar të qetë, por të brishtë.

Për KFOR-in, mosinteresimi i serbëve për të konvertuar targat ilegale të lëshuara nga Serbia në RKS është shqetësues.

Punimet e Seminarit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s do të zgjasin deri të hënën.

Gjatë këtyre tre ditëve, mbi 100 pjesëmarrës, në mesin e tyre krerë institucionesh, deputetë nga vendet anëtare të NATO-s e vendeve partnere do të diskutojnë për sfidat me të cilat përballet Ballkani Perëndimor në rrugëtimin e tij euroatlantik.