LAJMET E MBRËMJES

Kosova cilësohet shtet funksional e me ekonomi të gjallë

“Ka shumë sfida që përballeni, edhe presione do të thosha prej shumë vendeve të ndryshme, nga Uashingtoni, nga Brukseli, nga Beogradi, nga kudo. Ndoshta ky është fati i një shteti të vogël. Sepse ju keni një demokraci dhe keni mbështetjen e popullit tuaj dhe një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike, ju jeni në gjendje t’i përballoni këto sfida dhe t’i kapërceni ato”, ka thënë kryetari i Forumit Ekonomik të Vjenës, Viktor Jackovich

Viktor Jackovich, kryetar i Forumit Ekonomik të Vjenës, ka thënë se Kosova është pjesë integrale e Evropës dhe se, si vend i vogël, shpesh duhet të përballet me presione të jashtme.

Ai, në konferencën “Vienna Economic Talks – Prishtina 2023”, organizuar të hënën nga forumi që udhëheq në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit, deklaroi se Kosova është shtet funksional dhe se ka ekonomi të gjallë.

“Ka shumë sfida që përballeni, edhe presione do të thosha prej shumë vendeve të ndryshme, nga Uashingtoni, nga Brukseli, nga Beogradi, nga kudo. Ndoshta ky është fati i një shteti të vogël. Sepse ju keni një demokraci dhe keni mbështetjen e popullit tuaj dhe një qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratike, ju jeni në gjendje t’i përballoni këto sfida dhe t’i kapërceni ato”, u shpreh Jackovich.

E Elena Kirtcheva, anëtare e bordit dhe sekretare e përgjithshme e Forumit, theksoi se qëllim forumit është konsolidimi i rajonit.

“Ne duhet të shohim përpara duke pasur prioritet konsolidimin e rajonit. Ky është qëllimi kryesor i një forumi ekonomik, që të ketë konsolidimin sepse rajoni ka nevojë për Evropën, por më lejoni të them që Evropa ka nevojë për rajonin gjithashtu”, ka thënë Kirtcheva.

Në këtë konferencë, kryeministri Albin Kurti ishte folës kryesor. Ai foli për progresin, sipas tij, në fushën e ekonomisë dhe të sundimit të ligjit.

Pranoi edhe një çmimin nga ky Forum për bashkëpunim dhe kontribut, siç u tha, të shkëlqyeshëm në zhvillimin ekonomik në nivel nacional dhe rajonal.

“Ne kemi forcuar gjithashtu urat tona me fqinjët tanë të Ballkanit Perëndimor. Mendoj se kjo përpjekje përfaqësohet më së miri jo nga numrat, por nga takimet e panumërta. Kam pasur kënaqësinë të jem pjesë e vendit ku ndajmë sfidat fitoret dhe vizionet me njëri-tjetrin, ndërsa përmenda arritjet e së kaluarës, jam edhe më entuziast për ato të së ardhmes”, theksoi Kurti.

Kosova është pjesë e Forumit Ekonomik të Vjenës tash e 15 vjet.