Rreth 8 milionë euro shtesë ka ndarë të martën, Qeveria për subvencionimin e qytetarëve që kanë kursyer energji elektrike, për pakot mbështetëse si dhe për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.
Vendimi është marrë në mbledhjen e 112 të Qeverisë, të martën, ku ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se subvencionimi i tarifave po bëhet në mënyrë që ato të mos rriten në mënyrë të papërballueshme.
“Bëhet fjalë për pakon për përballje të inflacionit që ishin masat qoftë për mbështetjen e sektorit publik apo edhe punëtorëve në ndërmarrje publike dhe studentëve që kanë mbetur ende disa pa e marrë mbështetjen sipas pakos. Si dhe ndarja shtesë në kuadër të masës për subvencionim të kursimit të energjisë elektrike. Pra në tërësi shuma është 5.8 milionë euro që duhet të ndahet përkatësisht në këto tri masa mbështetëse”, tha Hekuran Murati.
E nga rreth tre milionë eurot e ndara për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në bujqësi në periudhën janar-nëntor nga fatkeqësitë natyrore, do të përfitojnë 22 komuna.
“Kemi buxhetuar mjete financiare në mënyrë që të u vijmë në ndihmë bujqve tanë në rast të përballjes me fatkeqësi të tilla natyrore të cilat kanë shkaktuar dëme në aktivitete bujqësore. Kompensim në dëme në vlerë 2 milionë e 826 mijë e 464 euro do të përfitojnë fermerët e 22 komunave të prekura, ndërsa vlera totale e kompensimit të këtyre dëmeve do të jetë në 82 për qind e vlerës totale nga fermerët”, tha ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
Në rend dite ishte edhe ndarja e afro 270 mijë eurove për vazhdimin e punimeve të disa shtëpive të familjeve nga komunitetet pakicë. Edhe kjo pikë u miratua.
Kryeministri Albin Kurti theksoi se këtë javë, Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
“Kjo është në përputhje me aspiratat e popullit tonë, para 1 jave në samitin e Tiranës, BE bëri thirrje për proces të përshpejtuar të anëtarësimit, kjo është përgjigje direkte. Krahasuar me shtete e rajonit kur ato kanë aplikuar Kosova është më e përgatitura, BE është vend i paqes sigurisë, barazisë e prosperitetit, andaj edhe Republika e Kosovës e ka vendin aty”, tha kryeministri Kurti.
Në këtë mbledhje të Qeverisë, për herë të parë mori pjesë edhe Nenad Rashiq, ministri i sapoemëruar për Kthim dhe Komunitete.