LAJMET E MBRËMJES

Musliu: Serbia po ndërton bazë të re ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Ganimete Musliu, tha se nga raportimi i drejtorit të AKI-së janë njoftuar se Serbia është duke ndërtuar një bazë të re ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën. Provat janë me dron më 27 shtator. Ndërkohë shefi i ushtrisë së Serbisë ka mohuar rritjen e gatishmërisë luftarake, kurse ministri i Brendshëm i këtij vendi tha se ushtria do të hyjë në Kosovë nëse merr urdhër nga Aleksandar Vuçiqi

Për më shumë se një orë para deputetëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë raportoi drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti.

Raportimi i zhvilluar me dyer të mbyllura për media ishte për vetëm një temë, sulmin terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Disa nga informacionet që ua dha drejtori i AKI-së, kryetarja e komisionit Ganimete Musliu i zbuloi në konferencën për media. Tha se përmes pamjeve me dron AKI-ja ka zbuluar se Serbia është duke e ndërtuar një bazë të re ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën.

“Janë vërejtur rritjet e pranisë së ushtrisë në kufirin Kosovë-Serbi nga pamje e siguruara me dron të datës 27.9.2023, është arritur të konfirmohet informata se në zonën e njohur si Rrogazinë në afërsi të Izvorit është duke u ndërtuar një bazë ushtarake e forcave të armatosura serbe, me mbulesë nga ana e serbëve kinse në atë ndërtesë po bëhet trajtimi i mineraleve të zonës, mirëpo pamjet me dron e kanë konfirmuar dhe është tashmë e qartë se aty po bëhet një zonë ushtarake në afërsi të kufirit me Kosovën”, tha Musliu.

Musliu theksoi se gjendja e sigurisë në vend mbetët e brishtë.

Shtimi i pranisë së forcave të armatosura serbe është ngritur si shqetësim edhe nga faktori ndërkombëtar. Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha sot se ushtria serbe do të hyjë në Kosovë nëse merr urdhër nga presidenti Aleksandar Vuçiq, ndërkohë shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, mohoi se ka ngritje të gatishmërisë luftarake.

“Dua t'ju informoj se nuk ka pasur ngritje të gatishmërisë së plotë luftarake të Forcave të Armatosura të Serbisë, por vetëm prani dhe angazhim të shtuar të njësive. Pas shpërthimit të krizës së sigurisë më 24 shtator, Ushtria serbe e rriti praninë e saj në zonën e sigurisë tokësore dhe në perimetrin rreth vijës administrative, ku më 25 shtator ishin 8.350 pjesëtarë të ushtrisë. Sot në këtë linjë janë dyfish më pak ushtarë”, tha Mojsilloviq.

Video të ndryshme në mediat serbe tregojnë se rritja e pranisë ushtarake në kufi me Kosovën nisi më 22 shtator, dy ditë para sulmit në Zveçan nga një grup serbësh të armatosur rëndë, ku u vra rreshteri i policisë Afrim Bunjaku.

Në operacionin që pasoi Policia vrau tre sulmues serbë, arrestoi disa, ndërkohë konfiskoi armatim e pajisje luftarake të llojeve të ndryshme.