LAJMET E MBRËMJES

Mungesa e pushtetit dhe bojkoti i opozitës lënë Kuvendin pa vendimmarrje

Edhe seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar pa vendimmarrje. Asnjë nga projektligjet dhe raportet që ishin në rend dite nuk arritën të kalonin, për shkak të mungesës së deputetëve të pushtetit dhe bojkotit të votimit nga ana e opozitës. Si rrjedhojë, nuk arriti të miratohej në lexim të dytë as Projektligji për Prokurorin e Shtetit e as ai që ka të bëjë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.

Asnjë pikë përmbajtjesore e rendit të ditë të seancës së Kuvendit nuk arriti ta merrte miratimin e deputetëve.

Vendimmarrjen në këtë seancë e pamundësoi mungesa e ligjvënësve të pushtetit që janë të nevojshëm për t’i kaluar projektligjet, por edhe bojkoti që partitë opozitare po ia bëjnë votimit.

Për mospjesëmarrjen në votim, shefi i deputetëve të partisë më të madhe opozitare, Abelard Tahiri, e dha një arsyetim.

“Ne nuk kemi marrë pjesë në votim për ta vënë në pah paaftësinë e kësaj mazhorance e cila qeveris. Kjo është gjendja në vendin tonë kur një mazhorancë me 50 për qind nuk arrin t’i ketë në asnjë rrethanë 51 për qind të atyre deputetëve që duhet të votojnë në kuadër të kësaj legjislature dhe që këto projektligje të kalojnë. Pra, këta janë njerëz të paaftë të cilët kështu në këtë formë janë duke e qeverisur vendin”, u shpreh Tahiri.

Për mungesë të deputetëve, Kuvendi nuk e miratoi në lexim të dytë as Projektligjin për Prokurorin e Shtetit e as atë që ka të bëjë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive.

Megjithatë, seanca shërbeu që opozita të adresonte pakënaqësitë e saj ndaj Qeverisë Kurti.

“Shumicës së ministrive iu mungon sekretari i përgjithshëm, nuk kanë sekretarë të përgjithshëm. Po filloj nga Zyra e Kryeministrit ku ende nuk ka ushtrues detyre, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me ushtrues detyre, Ministria e Zhvillimit Ekonomik njëjtë me ushtrues detyre. MAPL-ja me ushtrues detyre, Ministria e Jashtme me ushtrues detyre, Ministria për Komunitete dhe Kthim me ushtrues detyre. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me ushtrues detyre”, deklaroi deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku.

E deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, e ripërsëriti një kërkesë të tijën për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga Trusti, duke pretenduar se paratë e kontributpaguesve janë duke u rrezikuar për shkak se ky institucion ka mbetur pa Bord.

“Sot kur Bordi i Trustit nuk është funksional, është obligim i Qeverisë që ta sjellë në Kuvend Projektligjin për Trustin, që t’u mundësojë qytetarëve që të shpëtojnë disa nga kursimet e tyre”, tha Haxhiu.

Pati deputetë që i ridëgjonin fjalimet e tyre të dhëna disa minuta më parë në seancë.

Nga kjo mbledhje plenare, deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Mehmeti Selimi, i kërkoi Prokurorisë ta kthejë në Qeveri arkivin me të dhënat e veteranëve.

“Me qëllim të hetimit të listave të veteranëve konfiskoi gjithë arkivin e Zyrës së veteranëve pranë Zyrës së Kryeministrit, si pasojë nga ajo kohë e deri më sot, veteranët, duke përfshirë edhe invalidët e luftës, nuk kanë mundësi të pajisen me dokumente, vërtetime apo certifikata për të cilat ata kanë nevoja të shumta”, tha Mehmeti-Selimi.

Në fund të seancës Vetëvendosje bëri disa zëvendësime në komisione.

Në Komisionin e Sigurisë vendin e ish-deputetit të LVV-së, Fatmir Humolli, tash e tuje do ta zërë Dimal Basha.