LAJMET E MBRËMJES

Molliqaj paralajmëron protesta kundër Asociacionit: Kurti shkeli vullnetin e qytetarëve

Në kundërshtim të takimit në Bruksel, Planit evropian dhe Asociacionit, Partia Socialdemokrate ka zhvilluar një aksion të hënën te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës. Kryetari i PSD-së ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se ka shkelur vullnetin e qytetarëve, derisa ka paralajmëruar edhe protesta e aksione të tjera për të kundërshtuar themelimin e Asociacionit.

Tension për Asociacionin, është titulli që mban billbordi i vendosur të hënën nga Partia Socialdemokrate në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Në të shfaqen presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi e kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të ulur përballë njeri-tjetrit, derisa në tavolinë kanë një dosje me logon e BE-së, e që veçohet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Aksioni i PSD-së është realizuar pak orë para se në Bruksel të niste takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se në qendër të marrëveshjes me Serbinë do të jetë Asociacioni.

“Pra, qendra e marrëveshjes që sot do të pranohet, e ditëve në vazhdim do të nënshkruhet është asociacioni, i cili në termat juridik e politik është entitet paralel, politik, juridik edhe i sigurisë në Kosovë. Ajo që ne e kemi thënë me kohë, e për fatin e keq të Kosovës doli e vërtetë, të gjitha tensionet në veri kanë qenë tensione për asociacion”, theksoi ai.

Molliqaj akuzoi kryeministrin Kurti se ka shkelur vullnetin e qytetarëve.

“Nuk mund ta festosh ditëlindjen e Astritit e të nesërmen të shkosh ta shkulësh kauzën e Astritit, ose ta shembësh kauzën e Astritit duke nënshkruar pikërisht marrëveshjen për të cilin ai ka vdekur. Besoj që Kosova nuk ja ka borxh këtë kësaj qeverie, besoj që Qeveria e Kosovës nuk përfaqëson interesin dhe vullnetin tonë publik”, deklaroi.

Me të përfunduar aksioni, kryetari i PSD-së ftoi të gjithë kundërshtuesit e marrëveshjes për Asociacionin që t’u bashkohen në aksionet e protestat që ka paralajmëruar se do t`i organizojë kjo parti.