LAJMET E MBRËMJES

Ministrja Hajdari gjobitet me 700 euro për mosdeklarim të pasurisë

Ministrja e Tregtisë Industrisë e Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, është dënuar me 700 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi ka shkelur dy afate për deklarim të pasurisë gjatë periudhës në Qeverinë Kurti 1. Ministrja Hajdari, teksa ka pranuar fajësinë, është arsyetuar se në atë kohë ishte e ngarkuar me punët në Ministri si pasojë e COVID-19

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtore ministren e Industrisë, Tregtisë Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, për mosdeklarim të pasurisë gjatë vitit 2020. Dënimi që iu shqiptua është 700 euro gjobë.

Gjyqtarja e rastit Donikë Shala-Adyli gjatë shpalljes së akgjykimit e përmendi se gjatë vitit 2020, ministrja Hajdari ishte e njoftuar zyrtarisht për datat brenda të cilave duhej ta deklaronte pasurinë, e pavarësisht kësaj, e ka shkelur afatin në shkurt dhe atë shtesë në qershor.

Dënimi nuk është i formës së prerë dhe mund të apelohet brenda 15 ditësh.

Ministrja Hajdari e ka pranuar fajësinë të mërkurën para gjykatës, derisa ka thënë se ka qenë e ngarkuar me masat për mbështetje të bizneseve që u goditën rëndë nga pandemia e COVID-19.

Në lidhje me këtë, KOHA të enjten nuk ka marrë përgjigje nga Ministria, avokati i ministres e as nga vetë ajo, pavarësisht përpjekjeve.