15-vjetori i Pavarësisë së Kosovës u shënua të premten me parakalimin e Njësisë elite të Forcës së Sigurisë dhe të Policisë në sheshin kryesor të Prishtinës. Në prani të mijëra qytetarëve të mbledhur në sheshe, liderët shtetërorë bënë thirrje për unitet e front të përbashkët karshi sfidave e kërcënimeve
Me mijëra qytetarë ndoqën parakalimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë dhe të Policisë së Kosovës, në ceremoninë që nisi me gati dy orë vonesë në pritje të liderëve e delegacioneve të korit diplomatik, që ishin pjesë e shënimit të 15-vjetorit të shtetësisë.
Në adresimin para parakalimit, presidentja Vjosa Osmani tha se ushtria dhe policia janë të gatshme kurdoherë në mbrojtje të sovranitetit dhe paprekshmërisë së territorit të Kosovës.
“Periudha në të cilën po kalon shteti ynë në këtë kohë të sfidave dhe kërcënimeve globale shton nevojën e bashkimit tonë në një front, në të mirë të republikës sepse vetëm kur jemi bashkë jemi të suksesshëm. Republika jonë është e shenjtë dhe duhet ta trajtojmë dhe ta ruajmë si të tillë. Republika e Kosovës është e përjetshme, siç do të jenë të vazhdueshme edhe përpjekjet tona për ta fuqizuar atë dhe për të vazhduar për t’u ndier krenar me shtetin i cili është interesi ynë mbi secilin interes tjetër”, tha Osmani.
E kryeministri Albin Kurti përmendi dhimbjet e sakrificat që mundësuan që ushtria e policia të parakalojnë në kryeqendrën e vendit.
“Këto rrugë ku do të parakalojnë forcat tona janë rrugë kur dikur, në kohëra të dhimbshme, parakalonin protestuesit, demonstruesit e paarmatosur dhe është dashur shumë dhembje, shumë punë, shumë sakrificë, që të vijmë në këtë ditë, kur parakalojnë forcat tona të armatosura. Në këto rrugë, në këto sheshe, teksa ne në 15-vjetorin e Pavarësisë kujtojmë Demaçin, Rugovën dhe Jasharët. Këta tre shënues të historisë sonë më të re, së cilës përherë i rikthehemi për ta mbajtur sigurt dhe qartë rrugën përpara”, deklaroi Kurti.
Ai rikujtoi që vitin e shkuar FSK-së i janë shtuar edhe 820 ushtarë dhe 31 oficerë, teksa sivjet edhe 612 ushtarë të rregullt e 388 rezervistë.
Pas fjalimeve, presidentja Osmani, si komandante supreme, u dha ushtarëve e policëve dritën e gjelbër për parakalim. Nën duartrokitjet e qytetarëve të mbledhur që prej orëve të hershme të mëngjesit, krahas kadetëve parakaluan edhe regjimentet elite të FSK-së dhe të Policisë së Kosovës.