Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ishte ftuar në komisionin parlamentar që të raportojë për procese integruese përfshirë shtrirjen e faturimit të energjisë në veri, porse ai u detyrua të ndryshonte “kursin” e diskutimit, pasi deputetë të opozitës kritikuan Qeverinë për raportet me BE-në e për rastin e Banjskës. Mes tjerash, në komision u rikthyen temat rreth komunikimeve që zyrtarë të pushtetit kanë pasur me Milan Radoiçiqin e për bashkëpunimin që po me të njëjtin ka pasur ish-kryeministri Haradinaj
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka polemizuar me deputetë opozitarë në Komisionin për Integrim Evropian teksa ka folur para tyre për zhvillimet në veri. Ai e prezantoi si lajm të mirë nisjen e faturimit të energjisë edhe në veri, por pranoi se ka ende probleme me zbatimin e marrëveshjes.
Faturimi i rrymës në veri është paralajmëruar se do të nisë nga janari, pas arritjes së marrëveshjes kontraktuale mes KEDS-it dhe Elektroseverit.
“Mbi 20 mijë fatura janë shpërndarë në veri për konsumin e energjisë gjatë muajit janar. Lajmi i dytë i mirë është që nga një institucion që për vite me radhë ka pasur devijime negative në ENSO, KOSTT-i është duke u kritikuar që po bën devijime pozitive, por kemi ende problemin e papërmbushur të lëshimit të linjave të interkoneksionit, e kemi po ashtu ende të papërmbushur çështjen e borxheve të akumuluara të KOSTT-it”, ka bërë të ditur Bislimi.
Ai ka thënë se prej BE-së kanë marrë premtim se do të bëhet zgjidhje për borxhin që do të akumulohet nga mospagesa e energjisë elektrike në veri, pas arritjes së marrëveshjes për energjinë.
“Ne jemi në fazën që nuk kemi zgjidhje nga BE-ja për këto borxhe të akumuluara nga tetori i vitit 2022..., ndërsa konsumi në veri edhe pse janë vetëm 2 për qind e popullatës është sa 12 për qind e konsumit të plotë të energjisë në Kosovë”, ka theksuar Bislimi.
Raportimi i Bislimit në komision është përcjellë me debate mes deputetëve të të dy taborëve politikë. Ligjvënës të LDK-së dhe AAK-së fajësuan Qeverinë për masat ndëshkuese që BE-ja është duke i mbajtur ndaj Kosovës e edhe për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Serbisë pas rastit të Banjskës.
“Nuk ka punuar shumë Qeveria që me marrë masa Serbia, jo Kosova. Nuk po shoh që ka një angazhim të madh se jemi fokusuar te dialogu”, ka thënë deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.
E deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kërkuar përgjigje pse nga institucionet e Kosovës nuk ka një raport për atë që ka ndodhur në Banjskë.
“Qe katër muaj ka ndodhur sulmi në Banjskë dhe ne nuk e kemi një raport se çfarë ka ndodhur. Si është e mundur qeveria qe katër muaj nuk është në gjendje me e bo një raport për sulmin në veri për atë që ka ndodhë”, ka thënë ajo.
Masave ndaj Kosovës, sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosjes, Driton Hyseni, u është gëzuar opozita.
“Këta do të duhej t’u gëzoheshin rezultateve që po arrin qeveria. Me veprimet që ka marrë në veri e ka bërë punën e vet e ndoshta edhe shumë më tepër sesa që është kërkuar nga BE-ja për të konsideruar se në atë pjesë ku nuk ka arsye për tensionime të mëtutjeshme”, ka thënë Hyseni.
Zëvendëskryeministri Bislimi kërkoi ndihmën e opozitarëve për të krijuar kushte që BE-ja të vihet nën presion për të ndërmarrë veprime ndaj Serbisë. Ai ia ka sqaruar deputetes Kadrijaj se hetimet për Banjskë janë përgjegjësi e prokurorisë.
“Ne ia kemi dërguar 48 faqe raport për Banjskën BE-së, edhe secilit shtet anëtar dhe secilës ambasadë në Bruksel, por raportin për me u publiku duhet të bëjë prokurori. Ne po bëjmë presion publik, bëni edhe ju që të publikohet raporti që prokuroria ta publikojë raportin, ta nxjerrë fletarrestimin për Radoiçiqin sepse Radoiçiqi sillet i lirë në Serbi”.
Zëvendëskryeministri ka thënë se Kosova ka përmbushur obligimet e marra nga dakordimi në Bratislavë dhe se për heqjen e masave ka paqartësi brenda vendeve të Bashkimit Evropian.
“Por ka presion edhe ka frustrim edhe të vendeve anëtare se si ka mundësi që Kosova është nën masa vetëm se ka dërguar katër kryetarë të komunave në zyrat e tyre që i kanë fituar përmes zgjedhjeve legjitime, ndërsa ndaj Serbisë nuk ka masa edhe pas agresionit terrorist që ka bërë”, ka thënë ai, duke shtuar se Bashkimi Evropian ka një “qasje krejtësisht të pabalancuar”.
Për organizatorin e sulmit paraushtarak serb në Banjskë, Milan Radoiçiq, janë përplasur Bislimi e deputetja Kadrijaj. Deputetja e AAK-së ka përmendur aferën “Zdravo” në të cilën dëgjohet një komunikim i shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, me deputetin e Listës Serbe, Igor Simiq, e në të cilin përmendet edhe Radoiçiqi.
“Nuk keni të drejtë me folë për Radoiçiqin se e keni bërë kumbarë në kohën kur ka qenë sanksionuar, kur është kërkuar prej organeve të drejtësisë”, ka thënë Kadrijaj.
Në kundërpërgjigje Bislimi ka përmendur takimin e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, me Radoiçiqin më 2018, gjatë kohës sa ishte në krye të Qeverisë.
“Si rezultat i këtij koordinimi të shkëlqyeshëm që kemi pasur me Radoiçiqin ai është në Kopaonik... si rezultat i moskoordinimit dhe qasjes që keni pasë ju ai ka qenë vazhdimisht në zyrë të kryeministrit Haradinaj”, ka thënë ai.
Në takimin e Komisionit për Integrim Evropian zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka folur edhe për procesin e dialogut e për kërkesën e Kosovës që të bëhet ndarja e tij me atë të integrimit evropian. Bislimi ka kërkuar që qasja e qeverisë të përkrahjet nga të gjitha subjektet politike në Kosovë
“Po dialogu duhet të jetë i rëndësishëm, sepse BE-ja nuk dëshiron të ketë anëtarë që kanë paqartësi ose marrëveshje bilaterale, por kjo nuk duhet ta pengojë progresin e Kosovës drejt integrimit. Dhe mendoj që në këtë kontekst duhet të mbështetet kjo qasje nga të gjitha subjektet politike që ka Kosova”, ka thënë ai.
Sipas zëvendëskryeministrit Bislimi, nga plani i zgjerimit të BE-së, Kosova për katër vjet do të përfitojë 950 milionë euro në formë të granteve dhe kredive.
“Kjo njëherësh përbën shumën më të madhe që ndonjëherë Kosova ka përfituar nga BE-ja në një periudhë relativisht të shkurtër kohore.”.
Ai ka thënë se mbështesin qasjen që fondet e BE-së të kushtëzohen me pranimin e vlerave evropiane pasi, sipas tij, kështu rriten përfitimet për të gjithë qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Kjo përshpejton anëtarësimin e plotë në BE për ata që janë me të vërtetë të përkushtuar në këtë rrugëtim”.
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se për këtë vit synim kanë që të marrin pyetësorin nga Komisioni Evropian, derisa është shprehur i bindur se rezultatet e tij do t’ia sjellin Kosovës statusin e vendit kandidat.
Në Komisionin për Integrime Evropiane zëvendëskryeministri Bislimi ka folur edhe për zbatimin e Planit të Veprimit të Agjendës për Reforma Evropiane e Programit Kombëtar për Integrim.
“Plani i veprimit ERA 2 ka përmbajtur 15 prioritete dhe 322 reforma konkrete apo tregues deri në fund të vitit të kaluar janë zbatuar 71.26 për qind apo 243 nga 341 tregues”, ka bërë të ditur ai.
Sa i përket Programit Kombëtar për Integrim Evropian gjatë vitit që e lamë, sipas tij, janë zbatuar 160 nga 242 masa afatshkurtra apo 66.12 për qind.