LAJMET E MBRËMJES

Maqedonci thotë se disa shtete kanë tendenca që të destabilizojnë Kosovën

Forca e Sigurisë është bërë me Qendër Trajnuese për Siguri Kibernetike. Përfaqësues shtetërorë theksuan se qendra do të shërbejë për t’iu kundërvënë luftës hibride nga shtete me tendenca që ta destabilizojnë Kosovën. E, ekspertë të kibernetikës shtruan nevojën për veprime të tjera, pasi thanë se Kosovës ende i mungojnë kufijtë kibernetikë

Në kazermën “Adem Jashari”, është inauguruar Qendra Trajnuese për Siguri Kibernetike. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se qendra do të shërbejë për t’iu kundërvënë luftës hibride nga shtete me tendenca që ta destabilizojnë Kosovën.

“Viteve të fundit strategjia e luftës dhe interferimi në shtete me qëllim destabilizimin ka ndërruar dukshëm duke u bërë më hibride se kurrë. Sulmet kibernetike janë më të shpeshta. Konform këtyre rrethanave, edhe ministria e mbrojtjes është duke zhvilluar politikat e saj dhe krijimi i kësaj qendre ka qenë ndër qëllimet kryesore për këtë vit”, ka thënë Maqedonci.

Ai ka folur edhe për trajnimet që do t’i ofroi kjo qendër.

“Synimi ynë është që përmes kësaj qendre të trajnojmë institucionet e sigurisë t’i bëjnë ballë çdo sulmi të kësaj natyre, qendra shtetërore trajnuese për siguri kibernetike do të ofrojë trajnime me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit për rreziqet në fushën e sigurisë kibernetike, të përmirësojë aftësitë profesionale dhe të ndihmojë në ngritjen e niveleve të sigurisë kibernetike të institucioneve qeveritare, operatoreve të shërbimeve esenciale dhe ofruesve të shërbimeve digjitale për të arritur kapacitetin për mbrojtjen e infrastrukturës kritike në vend”, ka theksuar ai.

E, përurimin e Qendrës Trajnuese për Siguri Kibernetike, kryeministri Albin Kurti e cilësoi si hap të rëndësishëm për edukimin dhe krijimin e kapaciteteve të sigurisë.

“Trajnimet që t’i ofrojë qendra do t’i adresojnë objektivat qenësore për zhvillimin e kapaciteteve njerëzore në siguri kibernetike dhe krijimin e vetëdijes kolektive për rreziqet kibernetike”, ka thënë kryeministri.

Eksperti i sigurisë kibernetike, Mentor Hoxhaj, vlerësoi se hapja e qendrave të tilla është praktikë e njohur në shtetet e zhvilluara, dhe theksoi edhe sfida të tjera të sigurisë kibernetike që Kosova ende nuk i ka adresuar.

“Kosova nuk ka të ashtuquajturit kufijtë në hapësirën kibernetike, nuk është e njohur në hapësirën kibernetike dhe gjëja e parë e cila mësohet në kuadër të sigurisë kibernetike dhe të informacionit është njohja dhe identifikimi i kufijve” , është shprehur ai.

Kosova e ka miratuar edhe Ligjin për Siguri Kibernetike, i cili ka hyrë në fuqi një vit më parë.