LAJMET E MBRËMJES

Lista Serbe ndërron udhëheqjen, por jo edhe qëndrimet

Është bërë me udhëheqje të re partia më e madhe e serbëve në Kosovë, nënkryetari tashmë i dorëhequr i së cilës mori përgjegjësinë për organizimin e grupit paraushtarak që kreu sulmin në Banjskë. Lista Serbe ka ndërruar kryetarin e edhe përbërjen e kryesisë, por i mban qëndrimet e njëjta ndaj Kosovës.

Goran Rakiq nuk është më kryetar i Listës Serbe.

Të martën, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, zgjodhi në krye të saj Zlatan Elek, i cili ka qenë drejtor i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut, i emëruar nga Serbia.

Ndryshimi i kryesimit të Listës Serbe u bë fiks një muaj nga sulmi në Banjskë të Zveçanit, i kryer nga një grup paraushtarak, në krye të të cilit ishte nënkryetari tashmë i dorëhequr i kësaj partie, Milan Radoiçiq.

Krahas kryetarit, Lista Serbe ka ndërruar edhe përbërjen e kryesisë.

E, megjithëkëtë, struktura e re e kësaj partie ka bërë të ditur se veprimet e saj do të koordinohen me Serbinë.

“Presidenti Elek theksoi se në periudhën e ardhshme Lista Serbe do të jetë selia rreth së cilës do të mblidhet populli serb në Kosovë dhe Metohi dhe se të gjitha vendimet e rëndësishme politike do të merren gjithmonë në koordinim me Beogradin zyrtar dhe në interes të popullit serb duke ruajtur unitetin aq të nevojshëm”, thuhet nga Lista Serbe.

Zgjedhja e Elekut në krye të Listës Serbe është mirëpritur në Beograd.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pasi ka falënderuar udhëheqjen e deritanishme, ka theksuar se e reja do të përballet me sfida.

“E përgëzoj Dr. Zlatan Elek për zgjedhjen e tij si kryetar i Listës Serbe, si dhe në kryesinë e re. E di që atyre u është besuar një përgjegjësi e madhe, na presin ditë plot sfida dhe jam i sigurt se me forca të përbashkëta, vendime të mençura politike dhe avokim të vazhdueshëm për paqen, ne do t’i përgjigjemi gjithçkaje që sjell koha për mirëqenien e popullit tonë në Kosovë e Metohi”, tha Petkoviq.

Lista Serbe është formuar në vitin 2013. Ajo udhëheq në 9 prej 10 komunave me shumicë serbe dhe është pjesë e Kuvendit të Kosovës.